Bizneset propozojnë paketë masash për zbutjen e krizës ekonomike
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ka hartuar një platformë sugjerimesh për zgjidhjen e krizës ekonomike, duke e vlerësuar të nevojshme për përballimin dhe që pasojat mbi ekonominë në tërësi dhe biznesin në veçanti të jenë sa më të vogla. Duke vërejtur problematikën e përkeqësimit të disa treguesve makro dhe mikro ekonomikë, të ardhur nga vetë
biznesi dhe pas konsultimeve të bëra me përfaqësues të shoqatave të ndryshme, specialistë të ekonomisë propozojnë një paketë masash, e cila do të konsistojë në zbutjen dhe përballimin e kësaj krize dhe sigurisht në mbrojtjen e vetë këtyre bizneseve. DHTI bën me dije se kjo paketë ekonomike e financiare do të ndihmojë drejtpërsëdrejti kompanitë më të goditura dhe më të rrezikuara, të cilat kanë aktivitetin e tyre në sektorët më të prekur nga ethet e krizës. Ne kërkojmë negocim me sistemin bankar të nivelit të dytë për të marrë në konsideratë situatën e marrëdhënieve me klientët e tyre, d.m.th bizneset të cilët duhen ndihmuar duke zbutur kushtet dhe kriteret e vendosura për likuidimin e tyre. Sigurisht në këtë iniciativë është i rëndësishëm dhe roli ndërmjetësues i shtetit. Një masë shumë e rëndësishme sipas pikëpamjes sonë është amnistia e plotë fiskale dhe legalizimi i plotë i aseteve, thuhet në deklaratën për shtyp të DHTI. Këtë propozim lidhur me këtë iniciativë, Dhoma Tregtare e Industrisë në Tiranë, ia ka bërë prezente edhe Ministrisë së Financave.
Përkeqësimi i tregueseve
Është i qartë fakti i përkeqësimit të disa treguesve makro dhe mikro ekonomikë, të cilët janë shprehësit e drejtpërdrejtë të gjendjes ekonomike në vend. Në këtë drejtim DHTI, përmend uljen e ritmit të rritjes ekonomike duke rritur nivele larg objektivave të parashikuara në fillim të vitit; uljen e dukshme të vëllimit të eksporteve nga Shqipëria duke sjellë si pasojë edhe uljen e valutës së huaj që hyn në vendin tonë. Dobësimi i aftësisë likujduese të sistemit publik, d.m.th buxhetit të shtetit për kompanitë të cilat janë kontraktuar për realizimin e objekteve të investimeve. Një shenjë e pastër dhe e dukshme e krizës është edhe rishikimi i buxhetit me synim shkurtimin e shpenzimeve në masën 5% tani, kur ky buxhet është bërë akoma operacional. Ky veprim do të thotë më pak aktivitet për biznesin, më pak të ardhura për kompanitë që administrojnë atë, më pak të ardhura për familjet e punonjësve të këtyre ndërmarrje dhe në finale, përkeqësim të standardit të jetesës në vend, thuhet në deklaratën për shtyp. Nga ana tjetër Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë në analizat e saja të bëra muajt e fundit, në konsultat e zhvilluara me përfaqësues nga shumë biznese, të cilat zhvillohen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë konstaton dhe vëren se aktualisht biznesi shqiptar po kalon periudhë të vështirë financiare. Sipas DHTI, likuiditetet e tyre janë të limituara dhe si pasojë ato jo vetëm nuk mund të ndërmarrin iniciativa për zhvillime të mëtejshme por në fakt, janë përfshirë nga fenomeni i rrudhjes dhe shpeshherë i kanos rreziku i falimentimit të tyre. Fatkeqësisht pothuajse në të gjithë sektorët sundon një ndjesi paniku dhe pasigurie. Me këtë rast unë ju bëj thirrje të gjithë bizneseve të çlirohen nga kjo ndjesi dhe të jenë të sigurt që ekonomia jonë i ka të gjitha energjitë e nevojshme për ti bërë ballë me sukses krizës. Një pjesë e madhe e kompanive kredimarrëse rrezikohen të përfshihen nga fenomeni i kredive të këqija. Ato nuk po i përgjigjen dot sipas kushteve me të cilat kanë rënë dakord në bankat duke u shndërruar në borxhlinj dhe klientë jo të mirë për bankat, shprehet njëri prej drejtuesve të Dhomës, për të shtuar se gjithashtu vërehet në masë fenomeni i ngrirjes apo edhe pezullimit të shumë aktiviteteve të biznesit duke u shoqëruar edhe me largime të një pjese punonjësve. Po ashtu, DHTI vëren dhe një farë përkeqësimi të raporteve ndërmjet partnereve të biznesit sidomos me ata të huajt për shkak të aplikimit të sistemit të referencave në të gjithë sektorët e ekonomisë, veçanërisht në dogana, tatime dhe sigurime shoqërore.
Blerina Gjevori