E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia kritikon ligjin e dosjeve

Ligji i lustracionit ka nevojë për ndryshime pasi në të ka paqartësi kushtetuese. Këtë deklaratë e ka bërë një ditë pas largimit të raporterëve të KE, ambasadorja e Çekisë në Shqipëri. Kështu ky ligj duhet të rishikohet edhe një herë, por për këtë qeveria ende nuk ka shprehur mendimet e saj, kjo kërkesë vjen nga ambasadorja çeke në Tiranë, vendi i së cilës mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Pjesëmarrëse në një konventë të ish-të përndjekurve politikë shqiptarë, ambasadorja çeke nuk tregoi detaje për takimin e dy ditëve më parë me kryeministrin Berisha për ligjin e lustracionit, por shprehu vullnetin e Bashkimit Europian se ligji ka vend për ndryshime. Ligji është i vlefshëm, është në fuqi, por unë personalisht mund të imagjinoj edhe ndryshime të mundshme. Nëse Shqipëria vendos që këtë ligj ta ndryshojë, Bashkimi Europian është i përgatitur të jap këshillat e nevojshme ligjore, që ky ligj të ketë një përmbajtje sa më të përshtatshme, ka deklaruar ambasadorja. Diplomatja çeke përmendi kundërshtimet e bashkësisë ndërkombëtare për përmbajtjen, siç tha ajo, të disa neneve anti-kushtetuese për të cilat duhet të marrë një vendim Gjykata Kushtetuese. Fialkova mbrojti gjithashtu edhe nevojën e futjes në fuqi të një ligji të tillë. Ajo kërkoi nga qeveria shqiptare që të marrë parasysh paqartësitë kushtetuese të ligjit dhe të bëjë ndryshimet e nevojshme. Të përndjekurit politikë kanë mirëpritur mesazhin e ambasadores së Çekisë në Tiranë lidhur me ligjin e lustracionit. Në mënyrë mjaft diplomatike por dhe të prerë, diplomatja çeke deklaron se hapja e dosjeve nuk do ta pengojë Shqipërinë drejt integrimit të vendit. Ankesa e opozitës mbi ligjin e dosjeve, do të diskutohet në Bruksel nga Komisionerë të Këshillit të Europës, të cilët do të shqyrtojnë për mënyrën e zbatimit të këtij ligji në Shqipëri. Diplomatja çeke gjithashtu deklaron se ky ligj është mëse i nevojshëm dhe garanton se do të japë asistencën e nevojshme për zbatimin sa më korrekt të këtij ligji. Si ish-juriste Fialkova shprehet se nuk do të bënte asgjë më ndryshe. Diplomatja çeke ka mënjanuar çdo koment mbi vendimet që janë marrë nga qeveria për ligjin e lustracionit pasi sipas saj, ky ligj tashmë gëzon dhe miratimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Ky ligj do të përfshijë të gjithë ata nëpunës të emëruar apo të zgjedhur nga taksat e taksapaguesve apo nga të ardhurat nga emigrantët që në forma të ndryshme riciklohen në buxhetin e shtetit shqiptar.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›