E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse Vetëvendosje mbledh 40 nënshkrime, seanca mbahet nesër

Nga Express më 03 mars 2011 në ora 16:17

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës do ta thotë fjalën e vetë për bisedimet me Serbinë, në seancën që ka caktuar Kryesia e Kuvendit të mbahet të hënën, sipas kërkesës së parashtruar nga Qeveria për debat parlamentar para fillimit të dialogut Kosovë-Serbi. Kryesia në mbledhjen e mbajtur sot pasdite ka miratuar kërkesën e Qeverisë, ndërkaq kërkesa e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është hedhur poshtë pasi që, siç ka bërë të ditur kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Kushtetuta nuk e lejon që Kryesia e Kuvendit të marrë vendim për seancë të jashtëzakonshme.

Krasniqi ka thënë se kërkesa e GP të Vetëvendosjes ka qenë e bazuar në rregulloren e punës së Kuvendit, e cila i jep mundësi Kryesisë që të thërras seancë të jashtëzakonshme, mirëpo është Kushtetuta e Republikës ajo që përcakton që seancë të jashtëzakonshme mund të thërras vetëm Presidenti, Qeveria dhe 40 nënshkrime të deputetëve.

Në rast se GP i Vetëvendosjes arrin të mbledh 40 nënshkrime, atëherë sipas Krasniqit, seanca mund të mbahet nesër.

“Ne morëm vendim si Kryesi me konsensus mund të them, që të hënën të mbahet një seancë e Kuvendit të Kosovës në orën 10.00, për të debatuar për bisedimet Kosovë-Serbi. Nëse në ndërkohë, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, sjellë kërkesën me 40 nënshkrime që seanca të mbahet nesër, kryesia nesër do ta shqyrtojë dhe do ta radhis për seancën e nesërme të jashtëzakonshme”, ka thënë Krasniqi.

Rezultat i debatit të zhvilluar, sipas Krasniqit, do të jetë një rezolutë e miratuar nga ligjvënësit e Kosovës.

“Pritet që në fund të debatit të ketë një rezolutë, të ketë një dokument, i cili pak a shumë do të jetë rezultat i debatit. Do të thotë mbi bazën e debatit që do të zhvillohet do të dal një dokument. Ne mendojmë që ky dokument, kësaj radhe duhet të jetë një rezolutë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka njoftuar ligjvënësit për përgatitjet që po i bën Qeveria për bisedimet me Serbinë dhe për emërimin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri në krye të delegacionit të Kosovës.

Ai po ashtu ka kërkuar nga ligjvënësit që gjatë debatit për bisedimet të japin idetë e tyre dhe të nxjerrin konkluzionet për këtë proces. Thaçi ka garantuar se gjithçka sa i përket procesit të bisedimeve do të jetë transparente.

Vetëvendosje kërkon seancë të jashtëzakonshme për bisedimet

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka paraqitur në kryesinë e Kuvendit të të Kosovës kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të premten 4 mars, në të cilën do të diskutoheshin bisedimet me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës e ka marrë me ngut çështjen e bisedimeve me Serbinë. Zëvendës kryeministrja znj. Edita Tahiri është emëruar udhëheqësja e ekipit negociator dhe i ka filluar takimet e para të saj me kryendërmjetësin Robert Cooper. Koordinatori i strategjisë së Qeverisë së Kosovës për veriun z. Ylber Hysa e vizitoi Beogradin javën e kaluar. Këto bisedime filluan prapa shpinës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku është e domosdoshme të diskutohet së pari nëse negociatat duhet të ndodhin në parim, dhe së dyti nëse ato duhet të ndodhin në këtë mënyrë. Prandaj kërkuam një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar për këto bisedime. Konsiderojmë që bisedimet me Serbinë janë tejet të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën që të trajtohen vetëm si njëra prej pikave në një seancë të zakonshme plenare të Kuvendit. Nuk ka asgjë të zakonshme në bisedimet që ato të trajtohen me këtë zakonshmëri. Prandaj kërkuam që ta kemi një seancë të jashtëzakonshme e cila do t’i kushtohej tërësisht këtyre bisedimeve”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

“Ne synojmë që përmes kësaj seance ta miratojmë një rezolutë që i paraqet kushtet të cilat duhen plotësuar paraprakisht nga Serbia, në mënyrë që të mund të bisedojmë me të si dy shtete. Në rrethanat aktuale kur Serbia nuk na e njeh shtetësinë, kur ajo as nuk tregon as keqardhjen më të vogël për historikun e saj kriminal në Kosovë, dhe kur ajo përmes strukturave të saja paralele është e angazhuar drejtpërdrejt në cenimin e sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës, dhe ua rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe pronën qytetarëve të Kosovës, bisedimet ia falin krimet Serbisë pa kërkuar ajo fare falje, dhe rrezikojnë ta çimentojnë këtë gjendje e ta shpërblejnë Serbinë për të kaluarën”, thuhet më tej në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›