Pollo prezanton Eno Bozdon në zonën 41 Tiranë
27/05/2005 Kryetari i PDR, Genc Pollo, ka prezantuar dje, në zonën 41, në Tiranë, kandidatin për deputet të reformatorëve në këtë zonë, Eno Bozdo. Në fjalën e tij, Pollo tha se kjo është një zonë, e cila ka përkrahur përherë të djathtën. Kryetari i reformatorëve u shpreh se fitorja e së djathtës në zgjedhjet e ardhshme do të thotë integrim sa më i shpejtë në strukturat evropiane. “Ne shpesh flasim për integrim, pa shpjeguar se çdo të thotë ky term. Nëse bëhet fjalë për NATO-n, unë jam i sigurt se me votimet e 3 korrikut pa probleme dhe sidomos me rotacionin politik, Shqipëria më 2006 merr nga Aleanca e Atlantikut ftesën për anëtarësim. Por, më i vështirë është integrimi në BE: pasi reformat e nevojshme deri tani kanë qenë me fjalë e me letra, por jo me vepra. Ne, me një program të qartë të përmbushjes së kushteve, mund të mbyllim vitin e ardhshëm Marrëveshjen e Asociimit. Sfida reale do të jetë për të përmbushur kushtet për të qenë anëtar i plotë i BE-së, siç po bën sot Bullgaria e Rumania. Le t’i përmbushim ne këto kushte sa më parë, se këto i vlejnë të gjithë shqiptarëve dhe t’ja lemë Brukselit të caktojë datën e anëtarësimit”, tha Pollo.