E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhje të lira e të ndershme, por ende shumë punë për të bërë

Nga Ivana TOMÇO
Siç e dimë të gjithë, demokracia bazohet në njohjen dhe respektimin e vlerës së brendshme të çdonjërit qytetar. Bile ky është edhe qëllimi i saj Në shoqërinë tonë, ky parim manifestohet me barazinë e secilit para ligjit dhe shtetit. Demokracia presupozon që çdo njeri ka të drejtë të marrë pjesë në marrjen e vendimeve që na prekin të gjithëve dhe në përpilimin e rregullave dhe ligjeve që rregullojnë mënyrën tonë të jetesës. Në mënyrë që demokracia të marrë vlerën e saj të vërtetë, të gjithë qytetarët duhet të interesohen në mënyrë aktive për atë që është publike. Manifestimi i parë kryesor i një angazhimi të tillë, është ushtrimi i të drejtës së votës. Megjithatë, në shumicën e vendeve demokratike, numri i personave që ushtrojnë të drejtën e votës, ka njohur një ulje të rëndësishme gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Mediat, politikanët dhe njerëzit e zakonshëm, natyrisht shqetësohen,  ndaj kësaj tendence, por mendoj se duhet të bëjnë më shumë përpjekje e të marrin masa për të zgjidhur situatën. Studimet ndërkombëtare kanë treguar se kjo nuk është vetëm tendencë lokale, por shfaqet pothuaj në të gjitha demokracitë perëndimore dhe një nga elementët më shqetësues është mospjesëmarrja në votime e të rinjve. Përse të rinjtë nuk e ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, ashtu si të rriturit, apo bashkëmoshatarët e tyre të kohës së shkuar? Mendoj se ka mjaft faktorë, mes të cilëve: mungesa e interesit dhe njohurive në fushën e politikës, një dobësim i ndjeshëm i ndjenjës të detyrës qytetare, (me fjalë të tjera, ulje e përgjegjësisë që i korrespondon të drejtës dhe detyrimit për të votuar), vështirësitë administrative (listat), si dhe një kontakt shumë i vogël me partitë politike dhe kandidatët dhe kandidatet. Por, mendoj se fakti që pjesëmarrja në votime vjen gjithnjë në ulje edhe në mjaft vende demokratike, nuk do të thotë se nuk mund të bëjmë asgjë. Përhapja e gjerë që ka marrë mospjesëmarrja e të rinjve në votime, të bën të mendosh se ky fenomen do të përhapet edhe më tej dhe ne nuk do të kemi më mundësinë të ndërhyjmë. Në fund të fundit, e ardhmja e demokracisë, tek ne dhe kudo në botë, u përket në radhë të parë, të rinjve. Fakti që mospjesëmarrja në votime mund ti atribuohet shumë lloj faktorëve, tregon se nuk ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo situatë. Duhet një përpjekje e madhe nga ana e sektorëve të ndryshëm të shoqërisë. Edhe organizmat administrativë elektorale kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, por ata nuk munden të vetëm ta zgjidhin problemin. Do të ishte e pamjaftueshme. Cilat janë disa nga rrugët që mund të ndihmojnë? Fillimisht duhen përcaktuar objektivat kryesore, dhe më pas të caktohen prioritetet që çojnë në realizimin e këtyre objektivave. Objektivi i parë dhe më i rëndësishmi është të sensibilizohen të rinjtë ndaj  njohjes së procesit elektoral. Injoranca në drejtim të njohjes së procesit elektoral, është një faktor i rëndësishëm që ndikon në nivelin e ulët të pjesëmarrjes në votime. Pra, duhet krijuar dhe inkurajuar një program edukues për të rinjtë. Ky program do ti nxisë ata të krijojnë mesazhe me interes publik, duke i thënë shokëve të tyre se sa për zemër e kanë ata votën dhe demokracinë. Programi mund t'ju verë gjithashtu në dispozicion  mësuesve mjete dhe dokumente të reja që i njohin të rinjtë me demokracinë dhe zgjedhjet. Gjithashtu, ne duhet ti bëjmë thirrje të rinjve, nëpërmjet një fushate elektorale të përgjithshme, të përshtatur enkas për ta. Vetëm kështu mund tu japim atyre një mesazh të qartë, duke iu thënë: "Ju keni vlerë, të rinjtë e sotëm kanë vlerë, dhe vota e tyre gjithashtu. Nëse e keni për zemër epokën tonë dhe zgjidhjen e problemeve të saj, votoni! Një tjetër objektiv është të lehtësohen procedurat e ushtrimit të së drejtës së votës. Megjithëse informimi dhe interesimi i të rinjve janë etapa kryesore, qëllimi është që ata të sigurohen se mund ta ushtrojnë votën e tyre pa vështirësi. Shpeshherë faktorët administrativë dhe personalë janë shkaktari i rënies së nivelit të votuesve të rinj. I pari faktor pengues është koha. Janë të zënë e nuk kanë kohë të votojnë. Çelësi për të inkurajuar një numër sa më të madh të rinjsh për të votuar, mbështetet mbi një proces elektoral sa më të qartë e lehtësisht të mbërritshëm tek të gjithë. Deputetët dhe partitë politike kanë gjithashtu një rol të rëndësishëm për të luajtur në krijimin e lidhjeve mes qytetarëve dhe proceseve demokratike. Pra, në këndvështrimin tim, të gjithë qytetarët duhet të shkojnë të votojnë. Kjo është mënyra më e mirë për tju përgjigjur thirrjes: "Një zë, një votë. Nëse pjesa më e madhe e popullsisë nuk shkon të shprehë vullnetin e saj, atëherë nuk mund të themi se zgjedhjet përfaqësojnë vullnetin e popullit. Vetëm vota është mjeti që garanton themele të fuqishme për demokracinë tonë ende të brishtë dhe një legjitimitet demokratik të paqortueshëm të autoriteteve të zgjedhura nga populli. Së fundi, dua të them se nuk duhet të mendojmë asnjëherë se, nëse kalojmë testin e zgjedhjeve të lira, do të thotë se vendi është fuqizuar në rrugën drejt demokracisë. Tashmë të gjithë e dimë se nuk ka shumë lidhje midis zgjedhjeve dhe reformave shumë më të thella që duhen kryer në planin e drejtimit, veçanërisht në një vend si yni, që vazhdon të jetë në tranzicion.

Last Updated on Sunday, 05 July 2009 19:49

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›