E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër do të jetë tepër vonë

Siç bëhet e ditur nga të përditshmet e Tiranës, Edi Rama vazhdon gërmimet në Sheshin Skënderbe për të asfiksuar frymëmarrjen e kryeqytetit, për t’ia bllokuar atij rrahjet e zemrës, për ta tjetërsuar në betonarme. Një i marrë, kundër të gjithëve. Nuk dimë nëse i ka mbetur ende ndonjë ndjekës që të mendojë sinqerisht se kryebashkiaku po u shërben interesave të qytetarëve, kërkesave dhe shijeve të tyre. Që ka pas vetes një grusht trimash të cilët e trimërojnë, kjo duket açik, mjaft të mendosh kontratat fitimprurëse të aferave të dyshimta që e shndërrojnë betonarmenë në para të thata. Pa dyshim, i njëjti blof po luhet edhe në zemrën e Kombit shqiptar. Kjo është thënë e stërthënë deri në absurditet, aq sa Edi Ramës nuk po ia fërshëllen fare, thua se i ka mbyllur veshët me dyllë, thua se i ka zënë sytë me zift. Tre ministra, një tufë drejtorësh dhe zëdhënësish, arkitektë, studiues, shoqata dhe organizata njëra pas tjetrës, tashti së fundi edhe vetë Kryeministri, kanë dhënë alarmin për masakrën që po i bëhet Sheshit Skënderbe, sikur të mos të mos mjaftonte këtu e gjysmë shekulli përpara varrosja e Pazarit të Vjetër, një monument i vërtetë i urbanistikës sonë tradicionale, sikur të mos mjaftonte rrafshimi i Bashkisë, që e prishi një herë e përgjithmonë ansamblin arkitektonik mes ministrive dhe Bankës së Shtetit. Ja, më në fund, edhe një përbindësh në formë piramide. Për çfarë e gënjen mendja Edi Ramën, kur ngul këmbë për një piramidë në zemër të Kryeqytetit? Do të konkurrojë piramidat e Egjiptit, do të hahet me Kullën Ejffel, me Atomiumin e Brukselit apo me vepra të tjera kësisoj? Le që ai është tepër i vogël për të hedhur hapa të atillë, por ekonomia shqiptare nuk ka takat të mbajë mbi kurriz asisoj shpenzimesh, ndërsa qytetarët presin me padurim të çlirohen nga mishmashi i trafikut urban të mbingarkuar për një metropol siç është sot Tirana, ku kryqëzohen rrugët kombëtare Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim.
Tashmë, problemi imediat është se ç’do të bëhet me “problemin Edi Rama”. Përvoja ka treguar se ai është gdhe nga ato që nuk hanë as gozhdë, as zdrukth. Përkundrazi, gozhdët i shtrembërojnë, kurse prerësen e çeliktë të zdrukthit e thyejnë. Le të kujtojmë mbikalimin e famshëm te Zogu i Zi, i cili kushedi se sa u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë. A do të presim që shifrat e shpenzimeve të bëjnë përpjetë qoftë për prishjen e asaj çka po prishet, qoftë për ndreqjen e asaj çka do të duhet të ndreqet? është e qartë si drita e diellit se fjalët, tashmë, janë të tepërta. Sa më shumë kohë të kalojë deri që të vihet dorë mbi të marrin, aq më i madh do të jetë dëmi. Pasja ose mospasja leje nga Ministria e Mjedisit, nga Ministria e Kulturës a nga ajo e Punëve Publike; pasja ose mospasja projekte të miratuara prej institucioneve përkatëse; miratimi ose jo i projektit nga ana e Këshillit Bashkiak; krahasimi ose jo i dy projekteve, francez dhe belg, me të mirat e të këqijat e secilit, qoftë edhe prej personaliteteve të tilla të shkencës, si Profesor Faja, për Edi Ramën janë një vrimê në ujë. Atëherë?
Përderisa edhe Prokuroria e Përgjithshme nuk po merr nismën të hapë një dosje hetimore në gjithë këtë gurgule, përgjigjja do të ishte një: Nesër, do të jetë tepër vonë.
Do të jetë vonë jo aq për dëmin ekonomik tepër të rëndë, jo aq për shmangien e një rruge a për përfundimin e 4-5 kilometrave të unazës. Këto, po e epo. E keqja qëndron gjetkë. Edi Rama ka kaq kohë që po kërkon patjetër një konfrontim mes shqiptarëve..E kërkoi tek paçavurja rrethuar me llamarina, jo dhjetë hapa përtej Sheshit Skënderbe, kur tentoi të nxiste sherr mes policisë bashkiake dhe asaj të shtetit. E kërkoi në Ruzhdie, një natë gjatë numërimit të votave të 28 qershorit 2009. E kërkoi me thirrjet luftënxitëse gjatë protestave për hapjen e kutive. E kërkon dita-ditës me provokimet që bëjnë kasnecët e tij në konferenca shtypi ndaj liderëve të koalicionit qeverisës a ndaj qytetarëve të thjeshtë, siç është rasti i Sajmir Tahirit në Kombinat. Po e kërkon me fodroma dhe me ekskavatorë, me prishje dhe bllokim arteriesh të Kryeqytetit , me kthimin përmbys të Sheshit Skënderbe.
Zoti mos e dhëntë që nesër të themi: Qenka tepër vonë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›