Nga “martir” i votës së lirë, Rama po ulërin si despot i pështirë
Madjé edhe diktatorët e vegjël janë manipulatorë të mëdhenj. Edhe këta arrijnë kulme të përkohshme, sepse nuk i njohin kufí paturpësísë. Veçse, me t’u ndierë të pafuqishëm, bëhen të urtë, humanë dhe marrin poza idealistësh. Si çdo mëkatar i madh, despotët janë dhe hipokritë dinakë. Shtiren sikur nuk vuajnë nga lakmia për pushtet, ndërkohë që lëngojnë prej ambicies më kriminale për të sunduar të tjerët. Këta demagogë dinë të shtiren sikur vuajnë nga dëshira për të parë të lirë të tjerët. Sikur kanë lindur të mbrojnë të drejta universale. Dhe, për t’u bërë të besueshëm, marrin mbi shpinë gabimet, fajet, gjithë përgjegjësítë e njerëzve, që i ndjekin nga pas. Dhe gjithmonë paraqiten si mishërim i vetëflijimit, i sakrificës, i tolerancës dhe i zemërgjerësísë.
Enver Hoxha i mashtroi shokët e vet, aq sa këta, edhe kur ky i pushkatoi pa shkak, besuan se “Jagon” e tyre e kishin mashtruar të tjerë intrigantë. Ndërkohë djalli tallej me lolot, që e brohorisnin, edhe kur ishin duke ngordhur prej porosive të tij. Se Enver Hoxha e mbante veten si ndonjë trim i çartur, edhe pse trembej prej hijes së vet. Prandaj ishte dhe aq i pabesë, hipokrit e i pamëshirshëm. Se thonë që “forca” e diktatorëve qëndron te dobësía e tyre. Dhe Enver Hoxha shquhej ndër terroristët e terrorizuar. Dhe ishte aq i tmerruar nga pasojat tragjike të ligësíve të veta, sa i dukeshin tradhëtarë dhe më besnikët e tij. Frika e tiranëve është një nga mrekullitë e pushteteve absolute. Po le të shohim pak “liberalin” tonë hipokrit, gënjeshtar e shpirtzí, Edvin Ramën.
Ky despot “modern”, i dalë “lakuriq” nga rrënojat e pallateve të krimit, ka marrë sot pozat e njeriut babaxhan dhe aktron sikur nuk e njeh ambicien për pushtet. Me instinktin e trashëguar prej “perëndive” të diktaturës më të zezë duhet të ketë nuhatur qysh në krye se elektorati i majtë, i ngarkuar me komplekse faji nga diktatura, kishte nevojë për një lider që t’i merrte përsipër mëkatet e kryera edhe padashur nga zelli i “kopaçes”, i gënjeshtrës dhe i pasigurisë për të nesërmen. Ndoshta prandaj dhe u shtir sikur nuk donte asnjë lloj “skeptri” e nuk lakmonte asnjë lloj posti. Sikur punonte vetëm për afirmimin e vlerave universale, siç qe dhe gjoja mbrojtja e votës së lirë të çdo qytetari. Fjalimet e tij patetike për shenjtërímin e çdo vullneti të lirë ishin shenjat, që paralajmëruan rrezikshmërínë e këtij sharlatani, i cili kishte dhënë shumë prova se mendonte vetëm për vete. Ishte vënë ré që Edvin Rama nuk po i linte gjë mangët intrigantit Enver Hoxha, i cili sillej me shokët e vet sikur pa secilin prej tyre nuk do të mundej as të qëndronte në pushtet. Prandaj, edhe kur këta në fillim e kritikonin, “Tartufi” nuk u mbante asnjë mëri. Ndoshta prandaj asnjëri prej tyre nuk e nuhati dot se nga do t’i vinte gjëma. Kështu u soll edhe Edvini me “rebelët” e mendimit ndryshe. I mikloi si të ishin bukluria e lirisë së brendshme të P.S.-së, madje u shtir edhe sikur i dhimbseshin që disa shokë të udhëheqjes së P.S.-së silleshin ndaj tyre ashpër. Dhe asnjëherë nuk e shfaqi haptas egërsinë, me të cilën do të “hakmerrej” një ditë kundër tyre. Ndërkohë ky mëkatar, që nuk e duron dot mendimin e lirë, nuk e ka për gjë të ulërijë nëpër ekranet e blera prej tij se gjoja lëngon nga keqardhja për nërpërkëmbjen e lirisë së njeriut të thjeshtë. Ky hartues i Kodit Zgjedhor, që mendoi se me të do t’i ngjiste shpejt shkallët e pushtetit, kur pa që i duhej të dorëhiqej si humbës, sajoi “cunamin” e një manipulimi grotesk. Dhe, duke shpikur këtë ngërç të paqenë, tentoi të krijonte alarmin e një krize politike imagjinare, e cila qëndronte vetëm në kokën e tij. Dhe, prapa kësaj shpifjeje, kësaj “idealizmeje” prekëse po kërkon të realizojë qëllimet më cinike të një mëkatari, të cilin e tremb keqas drita e lirisë, e hapjes së vendit dhe e forcimit të ligjit. Ai bëri të pamundurën ta shndërronte në sistem metodën e kontestimit të çdo zgjedhjeje, ngaqë nuk kishte dhe nuk ka besim se mund të fitojë ndonjë palë zgjedhje.
Ashtu si Enveri, edhe Edvin Rama po tenton të shfrytëzojë komprometimin e militantëve të vet. I pari, i bëri ata skllevër si bashkëfajtorë në krimet e tij; i dyti, Edvini - duke i “blerë” me tendera, apo duke i joshur të zhyten në korrupsion. Dhe, duke i pasur kështu në dorë, po tenton ( me ulëríma! ) t’i hedhë në protesta për të konsoliduar pushtetin e vet të tronditur. Dhe, si një adhurues i epokës së hurit e të litarit, Rama ndjek taktikën e “kulaçit e të “kërbaçit”. Zemërimi i tij taní ka nisur të bjerë mbi ata, “profecia” e të cilëve ka nisur të vërtetohet. Nuk mund të bashkëjetojë despoti me ata që paralajmëruan se bojkoti i tejzgjatur, që liberali Rama e shpalli si gurin e themelit të çdo përparimi, qënkësh gremina e partisë dhe e imazhit të vendit. Ndoshta prandaj taní Rama po kërkon t’i largohet me marifet hapjes së kutive. Ai po akuzon tanío qeverínë për shiun që bie pa kandar, po dhe për tërmetet e paparashikuara. Të gjitha i kanë rrënjët te moshapja e kutive. (!). Rama kërkon të mbijetojë në politikë duke sajuar konflikte artificiale. Si gjithë diktatorët, ai nuk mund të jetë bashkëpunues, konsensual, tolerant, apo vizionar. Atë që e kundërshton, Rama do të vazhdojë ta shohë si armik, si njerí që i do vetëm të keqen, Dhembshurinë e shtirë njerëzore, për çmimet, a për papunësinë, ai e ka dënuar me kohë si “sentimentalizma të sëmura”. Ashtu si etërit e djeshëm të tij e të “klanit” të tij, besnikërínë e çmon si “virtyt” të të dobëtit. Përkushtimin ndaj një kauzeje e barazon edhe me servilizmin. Despotëve si Rama u duhen vetëm mercenarë. U duhen njerëz të komprometuar, të detyruar t’u shërbejnë, qoftë edhe duke i ndjekur pas në protesta me shkaqe të sajuara. Dihet tashmë që despotët nuk e njohin mirësínë, as idealizmin, as etjen fisnike për t’u shërbyer sinqerisht të tjerëve. Enver Hoxha i çmonte shqiptarët vetëm si pengje, me të cilët duhej të garantonte pushtetin e vet të pamerituar. Edvin Rama po trajton edhe deputetët e caktuar prej tij si mercenarë, si të ishin ca mëkatarë, të cilëve u ka marrë përsipër mëkatet (!).
E di Rama se e kaluara i ndjek ithtarët e komunizmit si hije e zezë nga pas. Nuk harron ai se bashkautorësía në krim është garancia për mobilizimin e tyre në vepra të shëmtura. E di nxënësi i xhelatit të kombit se mëkatet e diktaturës janë krijuar énkas prej kësaj të fundit si kapital i fëliqur moral për t’i mbajtur njerëzit në zap e për t’i lëshuar ata mbi të tjerë të pafajshëm, për të ngritur përsëri e përsërí mbretërínë e terrorit duke sajuar vazhdimisht sabotime, fajësíra imagjinare dhe armiqësíra të paqena. Harron Rama se sa shumë kanë ndryshuar kohët. Se socialistët e ndershëm nuk janë bagëtí, që ai t’i trembë qoftë edhe për ndonjë gabim, për të cilin ata sot dhe janë penduar. Shumica e socialistëve po e kupton qartë se Rama nuk do as votë të lirë, as mirëqënie të përgjithshme, as liberalizim vizash, as integrim në B.E. Në qendër të fjalimeve të këtij despoti është ulur galiç ambicia meskine e një njeriu, i cili, duke iu trembur ligjit, kërkon të ndërsejë njerëzit e thjeshtë kundër forcave progresiste, që mendojnë realisht për të mirën e vendit. Ndoshta prandaj qëndrimi i Ramës po çmohet si epilogu qesharak e tragjik i këtij karrieristi, i cili endé tenton të mashtrojë me slogane si “populli opozitar”, apo me kauza, të stisura, të marra hua nga rruga e tiranëve !...