E Shtunë, 31 Tetor 2026

Netanyahu nuk lëshon pe për Jerusalemin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu përsëri refuzon thirrjet e Amerikës për ndalimin e ndërtimeve të vendbanimeve pa leje në tokat e pushtuara në Jerusalemin Lindor.

Ai e theksoi pozicionin e tij, në prag të vizitës së të dërguarit special amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell.

George Mitchell ka një punë të vështirë, të bindë Izraelin dhe Palestinën të rifillojnë bisedimet për paqe.

Izraeli thotë se ka ofruar mjaft masa që tregojnë vullnetin e vet të mirë për t'iu rikthyer tryezës së negociatave, por nuk pranon kushte paraprake dhe nuk do të ndalojë ndërtimin në tokat e pushtuara, gjë që ka çuar në vështirësimin e marrëdhënieve të tij me Amerikën.

Zyrtarë në administratën e Presidentit Barack Obama kanë thënë se e kuptojnë pozicionin në të cilin ndodhet Izraeli prej kohësh, por status quo-ja nuk është e qëndrueshme.

Për shkak të bllokadës ekonomike të Izraelit në Gazë OKB-ja ka thënë se nuk ka arritur shkollimin e mijëra nxënësve palestinezë.

Shefi i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, John Ging tha se bllokada e ka bërë të pamundur akomodimin e numrit të madh të nxënësve në shkolla, një numër që sa vjen dhe rritet.

Izraeli vendosi një bllokadë të fortë ndaj Gazës pas fitores së grupit militant Hamas në 2007-ën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›