E Hënë, 2 Nëntor 2026

Netë vere pa gjumë. Këshilla për të fjetur mirë

21/02/2005  Janë të shumtë njerëzit që nuk mund të flenë dhe rrjedhimisht, vuajnë nga pagjumësia për shkak të vapës së madhe të verës. Cilat janë shkaqet dhe si mund të përballen për të fituar prapë një gjumë normal? Kjo “sëmundje” prek meshkuj e femra me moshë nën 45 vjeç; mbizotërojnë femrat që e kanë kaluar këtë moshë. Mes shkaqeve që pengojnë një pushim të qetë janë ankthi, stresi, abuzimi me ilaçet, aktiviteti i tepruar fizik para gjumit, problemet sentimentale. Në verë shtohen edhe temperatura e lartë dhe lagështia, të cilat e pengojnë gjumin akoma më shumë. Ndërkohë që flemë, temperatura e trupit ulet rreth një gradë centigradë, duke ndihmuar prodhimin e melatoninës, hormoni që na hedh në krahët e gjumit. Kur bën shumë vapë, prodhimi i këtij hormoni ndryshon, bashkë me ritmet rrethorë (ciklet 24 orësh të ndarë mes gjumit dhe gjendjes zgjuar): kështu që gjumi nuk sjell një efekt ripërtëritës në organizëm. Pushimin gjatë kohës së gjumit në verë e pengojnë edhe disa zakone të keqe tipike për këtë stinë: darkat e bollshme të ngrëna vonë, shtrirja vonë në shtrat dhe fjetja zbuluar. Mjafton vetëm një çarçaf për të mos u zgjuar natën të ftohur e me ethe. Mosarritja e pushimit mund të përshpejtojë shfaqjen apo përkeqësimin e disa sëmundjeve; në mënyrë të veçantë, sëmundjet që lidhen me aparatin kardiak dhe qarkullimin e gjakut. Vapa e madhe mund të shkaktojë dispnenë, ose frymëmarrjen e vështirë dhe të nxituar, e cila vështirëson qarkullimin e gjakut në zemër. Pasojat e mungesës së pushimit ndikojnë edhe në gjendjen psikologjike, e cila përkeqësohet dhe u nënshtrohet ndryshimeve të befta, sidomos te njerëzit që vuajnë edhe nga shenja të lehta të depresionit. Për të pushuar edhe gjatë verës, ka disa veprime të thjeshta që duhen bërë: para se të shtrihesh, duhen shmangur duhani dhe pijet alkoolike, të cilat kanë një efekt ngacmues në trup; pastaj duhet zgjedhur edhe dysheku dhe një rrjetë e përshtatshme për një pushim normal (mbi një dyshek ortopedik mund të flihet 50 minuta më shumë dhe të zë gjumi më shpejt) dhe të shtrihesh në një pozicion që ndjell gjumë (duke fjetur me kurriz, nuk shtypen organet e brendshme). Edhe pse bën shumë vapë, nuk është e këshillueshme të bëhet dush i ftohtë, por vaska me ujë të vakët. Dritaret duhen mbyllur para se të bini në shtrat, për të shmangur që korenti i ftohtë t’ju shqetësojë gjatë gjumit. Ventilatorët dhe kondicionerët duhen fikur ose duhen mbajtur ndezur në një dhomë që komunikon me dhomën e gjumit; rrjedhimisht, mund të përdoret një ventilator me fletë, që të mos e ulë shumë temperaturën e mjedisit ku ndodheni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›