E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shembet ura, izolohen 10 mijë banorë

21/02/2005  GRAMSH- Reshjet e fundit të shiut, kanë fundosur përfundimisht urën pasarel, mbi lumin Devoll, që lidh zonën e Sulovës me qytetin e Gramshit. Për pasojë, rreth 10 mijë banorë, tashmë nuk kanë asnjë mundësi komunikimi, ndërsa disa prej tyre janë përpjekur që gjatë dy ditëve të fundit, të lidhin edhe një kavo hekuri për rastet emergjente që mund të shfaqen në disa fshatra të komunës Sulovë.

Nga ana e saj, komuna nuk ka fonde të mjaftueshme për rikonstruksionin e plotë, ndërsa nga parashikimet, pritet që këtë vit me fondet e buxhetit të shtetit, të akordohen 4.5 milionë lekë, të cilat, sipas kryetarit të komunës, Kodhel Çala, janë të pamjaftueshme.

Kjo urë, e cila konsiderohej si një nyje lidhëse midis fshatrave dhe rrugëve automobilistike për në qytetin e Gramshit dhe të Elbasanit, është bërë edhe herë tjetër objekt i mediave për rrezikun që i sillte banorëve dhe sidomos nxënësve, me dëmtimin e saj. Prurjet më të fundit të lumit Devoll, kanë sjellë edhe shembjen përfundimtare, pas këputjes së kavove të çelikut. Problemi më i vështirë për tu kapërcyer, është ndonjë rast sëmundjeje apo ngjarje të tjera emergjente - është shprehur Çala, ndërsa kërkon menjëherë, ndërhyrjen e këshillit të qarkut, pasi mund të ketë edhe pasoja të rënda për jetën. Kjo urë është ndërtuar 5 vjet më parë më fondet e PNUD në shërbim të projektit "Armët në këmbim të zhvillimit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›