Netët korçare të poezisë, kurorëzojnë fituesit
Ka përfunduar mes një atmosfere festive një prej aktiviteteve më të rëndësishme kulturore, që zhvillohen në qytetin Korçës, i cili i kushtohet poezisë Netët korçare të poezisë. Për këtë eveniment qyteti i Korçës ka pritur më dhjetëra poetë nga shtete të ndryshme të Europës, të cilët ishin të pranishëm gjatë netëve korçare të poezisë Për dy ditë rresht në qytetin e Korçës u shpalos me veprimtari të larmishme ndjenja poetike e krijuesve nga trevat shqiptare dhe disa vende të tjera.
Aktiviteti e pati kulmin e tij në mbrëmjen e së shtunës, kur të gjithë poetët u ngjitën në skenë dhe brenda 100 minutash interpretuan krijimet e tyre më të mira. Shumë emocione përcolli tek të pranishmit në këtë aktivitet edhe aktori i njohur Mirush Kabashi, i cili recitoi poezitë më të njohura të shkrimtarit korçar Skënder Rusi. Edicioni i 11-të i netëve korçare të poezisë, përfundoi mbrëmjen e së dielës, ku u dhanë dhe çmimet për poezitë më të mira. Poeti korçar Ylber Merdani u nderua në këtë aktivitet me kurorën për krijimin më të mirë në edicionin e 11-të të aktivitetit të përvitshëm letrar "Netët korçare të poezisë". Poetë të tjerë nga rajoni i Korçës apo qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe të ftuar nga vende të tjera si Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, etj, u vlerësuan me çmime speciale në këtë aktivitet poetik. Poetët Arben Shaholli, Ali Bregu, Vojsava Nelo, Jusuf Edip ( Turqi) dhe Dimitar Bashevski ( Maqedoni) u vlerësuan me çmimin special të Netëve Korçare të Poezisë 2009. Çmimin " Perëndesha e dashurisë" në këtë aktivitet e fitoi poeti Xhelal Tosku. Për poezinë më të mirë kushtuar Korçës, u nderua me çmim poeti durrsak Agim Bajrami. Surpriza e këtij aktiviteti kushtuar poezisë të vitit 2009 u shpall poetja bullgare Stefania Cankova, ndërsa me çmimin "Adreni" u vlerësua krijuesi dhe përkthyesi Anton Nik Berisha. Aktiviteti poetik "Netët korçare të poezisë" 2009" u çel në datë 13 qershor me recitime të poetëve të ftuar në sallën e teatrit "Andon Zako Çajupi". Poetët e mbledhur në këtë aktivitet letrar, dhe sidomos ata të ardhur nga vende të tjera, patën rastin të njihen gjatë dy ditëve jo vetëm me qendra muzeale të Korçës, por edhe me vlerat turistike të saj, si Driloni, etj. Netët korçare të poezisë, si një aktivitet i përvitshëm letrar, zhvillohen në qytetin e Korçës prej 11 vitesh nën kujdesin e bashkisë së qytetit dhe organizimin e klubit të shkrimtarëve "Bota e re". Në këtë aktivitet kulturor, i cili u zhvillua gjatë një jave në këtë qytet u çel dhe panairi i librit. Në këtë aktivitet kushtuar letërsisë vetëm pesë shtëpi botuese kanë ekspozuar botimet e reja në panairin e Korçës. Sipas botuesve shkak janë bërë shitjet e ulëta gjatë viteve të kaluara. Madje këtë vit sipas tyre nuk ka pasur edhe një ceremoni zyrtare për hapjen e panairit.