Neymar ironizon Realin: Më mirë një ndeshje me Mesim, se sa një vit me Kristiano Ronaldon
Ylli brazilian pa firmosur mirë hyn në klimën e El Clasico-s
Sezoni futbollistik sapo është mbyllur, por në Spanjë klasikja nuk ka kurrë fund. Pasi humbi betejën për Neymar, Reali Madridit, merr një goditje të re, këtë herë nga vetë ylli brazilian që ironizon Kristiano Ronaldon, simboli e blacos. Babai i brazilianit në një intervistë për Globo Tv në Brazil ka shpjeguar me një batutë zgjedhjen e djalit të tij drejt Barccës. Neymar më tha se ëndrra e çdo futbollisti është të ketë mundësinë të luajë një ndeshje me Mesin që është më i madhi, se sa të luash një sezon të tërë me Kristiano Ronaldon, tha ai. Më pas ai shtoi se djali im vendosi të shkojë në skuadrën që i përshtatet më shumë stilit të tij të lojës.
Largimi mes lotësh nga Santos
Sulmuesi brazilian Neimar nuk i ka fshehur dot emocionet e tij për faktin se po largohet nga Santos dhe ka shpërthyer në lot në momentin kur skuadra e tij dhe Flamengo ishin rreshtuar në fushë dhe dëgjonin himnin kombëtar, në ndeshjen e hapjes së kampionatit. Ky ishte takimi i fundit i sulmuesit me ekipin aktual, pasi ai do ti bashkohet kombëtares për Kupën e Konfederatave dhe më pas do të udhëtojë drejt Spanjës për tu prezantuar si blerja e re e Barcelonës. Ka qenë një nder i madh të luaj për këtë skuadër të mrekullueshme, Santosin. Jam i lumtur që kam arritur ta bëj një gjë të tillë, tha Neimar pas ndeshjes që përfundoi në barazim 0-0. Çdo fëmijë ka një ëndërr, për tu bërë dikush kur të rritet. Ëndrra ime ishte të bëhesha një sportist profesionist dhe mendoj se tani e kam arritur këtë gjë. Sot Barcelona po plotëson ëndrrën time për të shkuar te një skuadër e madhe. Kjo është një ditë shumë emocionuese. Filmi i jetës time që kur isha fëmijë më kaloi para syve. Por tani do të bëj realitet atë që kam ëndërruar gjithmonë. Do të jetë një nder i madh të luaj përkrah lojtarëve si Mesi, Ksavi e Iniesta, tha braziliani. Futbollisti zgjodhi Barcelonën tre ditë më parë, edhe pse kishte përpara një ofertë tjetër më të mirë ekonomike nga Real Madrid, pasi i kishte dhënë fjalën katalanasve që më parë se nëse largohej nga Brazili, do ti bashkohej kësaj skuadre.