E Diel, 1 Nëntor 2026

Palestinezët po i qasen “rezistencës popullore”

Në fshatin Nabi Saleh, në Bregun Perëndimor, palestinezët e frustruar për shkak të dështimit që negociatat paqësore të ruajnë tokat e tyre nga zgjerimi i kolonive hebreje, kanë filluar të marshojnë dhe janë të gatshëm të përballen edhe me gazin lotsjellës.

Është ky shembulli më i ri për atë se palestinezët, të cilët po humbin gjithnjë e më shumë besimin në procesin paqësor, i janë kthyer asaj që ata e quajnë rezistencë popullore; kod për protesta, për të cilat aktivistët po theksojnë se po nxisin reagime gjithnjë e më të ashpra të Izraelit.

Disa vëzhgues janë të brengosura se trazirat e këtilla mund të rezultojnë me një konflikt të ri.

“Izraelitët janë të brengosur se nëse palestinezët aktrojnë si duhet, ata mund të joshin vëmendjen e opinionit ndërkombëtarë. Lëshimi i avullit është një opsion, por ekziston edhe rreziku që situata të eskalojë dhe të shndërrohet në dhunë”, deklaroi një diplomat perëndimor.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abass, me strategjinë e tij negociuese që po përballet me vështirësi, ka përqafuar idenë e rezistencës popullore dhe ka kërkuar forcimin e saj, pikërisht në momentin kur SHBA-ja po përpiqet që të ringjallë negociatat paqësore, të cilat kanë mbetur të bllokuara për më shumë se një vit.

Në Nabi Saleh, rezistenca popullore është manifestuar gjatë përpjekjeve javore të dhjetëra fshatarëve për të marshuar deri te telat, të cilat e rrethojnë koloninë. Fshatarët theksojnë se telat janë vendosur në tokat e tyre.

“Madje edhe gjatë kohës sa po vazhdonin negociatat, kolonët kanë vendosur telat në tokat tona”, thotë Imam Tamimi, nënë e katër fëmijëve, e cila ka marrë pjesë në protestat e organizuar gjatë muajit të kaluar nga palestinezët lokalë.

“Njerëzit dëshirojnë të vjelin ullinjtë e tyre. Kolonët thonë ‘Kjo është toka jonë”, shton ajo.

Protestat kanë rezultuar me rrahje me grushte me kolonët dhe konfrontim me ushtarët izraelitë, të cilët kanë okupuar Bregun Perëndimor në vitin 1967.
Izraelitët kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, të cilët janë kundërpërgjigjur me gurë. Së paku gjashtë fshatarë janë arrestuar gjatë protestave të fundit në Nabi Saleh, kanë njoftuar aktivistët.

Abbas ka kërkuar që në këto protesta të marrin pjesë edhe anëtarët e partisë së tij, Fatah. Hussein Tiravi, zyrtar i Fatahut dhe ish-shef i shërbimit palestinez të inteligjencës, ishte në mesin e atyre që u arrestuan nga ana e forcave izraelite gjatë protestave.

Për Abbasin, mbështetja e “rezistencës popullore” është një mënyrë për të dëshmuar se ai mbështetë format e aktivitetit, edhe pse nuk bëhet fjalë për aktivitete ushtarake, siç janë ato të grupit radikal, Hamas, i cili kontrollon territorin e Gazës.

Deri me tani, përkushtimi i Abbasit është dukur kryesisht taktik.
Por nëse SHBA-ja nuk do të jetë në gjendje që të ringjallë së shpejti negociatat paqësore, atëherë mobilizimi gjithëpërfshirës mund të jetë i pashmangshëm. Presidenti amerikan, Barack Obama, deklaroi javën e kaluar se ai ka nënçmuar vështirësitë në përpjekjet për të ringjallur negociatat në Lindjen e Mesme.

“Kur bie shpresa në negociata, shtohet shpresa për opsione të tjera. Përderisa opsioni ushtarak është shumë pak i mundshëm, opsioni i vetëm mbetet rezistenca popullore”, deklaroi analisti politik, Hani Masri.

Këshilli Revolucionar i Fatahut ka vendosur ta eskalojë atë që e ka cilësuar si “fushatë të rezistencës popullore”. Por mbetet e paqartë se në çfarë përmasash janë të gatshëm palestinezët që të përfshihen në të.

“Aktualisht nuk ka indikacione për të thënë se bëhet fjalë për një lëvizje masive. Por gjërat vështirë se mund të parashikohen. Kryengritja e parë palestineze shpërtheu në një periudhë, në të cilën kushtet ekonomike ishin më të mira sesa që janë tani”, deklaroi George Giacaman, profesor i Shkencave politike në Universitetin Birzeit në afërsi të Ramallahut.

Kryengritja e parë kundër Izraelit shpërtheu në territoret e okupuara në vitin 1987. Botës ende i kujtohen pamjet e të rinjve palestinezë, të cilët konfrontonin me gurë ushtrinë izraelite.

Kryengritja e parë dallon nga kryengritja e dytë, e cila ishte më e militarizuar, e cila filloi në vitin 2000 dhe zgjati disa vjet.

“Kryengritja e parë ishte një model, me të cilin palestinezët krenohen dhe ky model është ai, i cili mund të rivendosë çështjen palestineze në hartën politike”, deklaroi Fahmy Zaarer, zyrtar i Fatahut.

Imazhi ndërkombëtar i Izraelit, i cili është dëmtuar gjatë kryengritjes së parë, është goditur sërish nga ana e kritikave ndërkombëtare për shkak të ofensivës në Gazë, para një viti, për të cilën Izraeli ka theksuar se e ka filluar, për të ndalur sulmet e Hamasit me raketa.

Kritikat ndërkombëtare janë përqendruar edhe në bllokadën që ka vendosur Izraeli ndaj Gazës, ku kushtet për jetë janë përkeqësuar dukshëm.

Izraeli dëshiron t’iu shmanget kritikave të reja dhe për këtë arsye po tenton që të ndalë qysh tani protestat, thotë Jonathan Pollak, zëdhënës i Komitetit për Koordinimin e Betejës Popullore.

“Ata po përpiqen që t’i shtypin tani, para se të bëhet një dëm edhe më i madh”, thotë Pollak.

Organizatorët e protestave theksojnë se aksionet kundër protestuesve janë ashpërsuar gjatë muajit të kaluar. Që nga dhjetori i vitit të kaluar, 20 palestinezë janë arrestuar në fshatin Nilin, për shkak të pjesëmarrjes në protesta kundër murit të sigurisë, të cilin Izraeli po e ndërton në dhe përreth Bregut Perëndimor.

Megjithatë, një zëdhënës i ushtrisë izraelite theksoi se nuk ka ndryshim të politikës ndaj demonstruesve dhe se ushtria nuk ka problem me protesta paqësore. “Problem është kur protestat me qëllim shndërrohen në veprime të dhunshme”, tha ky zëdhënës.

(Reuters)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›