E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga 10 tentativa vetëvrasjeje, 6 përfundojnë me vdekje

15/02/2005  Spahiu: Fëmijës mund t’i kënë munguar modelet në familje dhe shkollë

Akti ekstrem i ndërmarrë nga vajza 11-vjeçare Esmeralda Cene, ka shokuar dhe mjekët e psikologët. Rasti i rrallë i vetëvrasjes, është cilësuar nga specialistët, si një deviancë nga tiparet e moshës dhe si e ndikuar totalisht nga ambienti. Mjekja pediatre Linda Spahiu, e kontaktuar, ka sqaruar me detaje se çfarë ndodh në psikikën e një fëmije 11-vjeçar. Sipas Spahisë, e njohur dhe si një ndër psikologet më të mira të moshës minorene, vetëvrasja e Esmeralda Cenes duhet parë si e lidhur me ndikimin e dobët ndoshta të familjes dhe shkollës. Pediatrja ka sqaruar se fëmijët deri në moshën 12-vjeçare, vazhdojnë të kenë lidhje shumë të forta më familjen dhe mësuesit, ku gjejnë dhe modelet e tyre. “Pas moshës 12 vjeç, grupi bëhet lider për fëmijët, e një fëmijë 11 vjeç është e dyshimtë që të përfshihet në grumbullime të rriturish, pasi në atë moshë nuk mund të luajë rolin e protagonistit jashtë familjes. Shpesh, ka sqaruar dje pediatrja Linda Spahia, pas fëmijëve të cilësuar si “të urtë, apo të mbarë”, fshihet një fëmijë me drama, një fëmijë që akumulon, duke u fajësuar për gjithçka ndodh”. Apeli i mjekes Spahia pas këtij rasti është se duhet të reflektojnë familjet, mësuesit për të qenë model për të miturit si dhe misionarët e feve të ndryshme, që të shikojnë në mënyrë më të hapur atë se çfarë bëjnë.

Dragoti: Vetëm një ndjekës i ideologjive

ekstreme mund ta bëjë këtë akt

Ndërsa pedagogu i psikologjisë, Edmond Dragoti, ka thënë dje për gazetën “Metropol” se një fëmijë 11 vjeç është e vështirë që të marrë vendime të tilla. Vetëm një ndjekës i ideologjive ekstreme, si ato naziste, apo komuniste, mund të ndërmarrë një akt të tillë. Sipas Dragotit, fëmijë të moshës 11 vjeç janë lehtësisht të manipulueshëm dhe me to mund të abuzohet deri në shkallën e vetëvrasjes. Vendime të tilla, ka sqaruar dje pedagogu i psikologjisë, kanë nxitje. Ndërsa në lidhje me pyetjen, nëse një rast i tillë duhet parë si i ndarë nga manipulimi që mund t’i jetë bërë, por i lidhur me karakterin e mbyllur, e të rezervuar, gjithmonë të gatshëm për të dhënë më të mirën, Dragoti ka sqaruar se karakteri si ai që mund të ketë patur 11-vjeçarja fierake janë të orientuar drejt depresionit, janë të ndjeshme ndaj realitetit dhe të orientuar dhe drejt vetëvrasjes. Sipas Edmond Dragotit, ndalesat familjare për të kryer një veprim apo akt, janë vetëm sebepe dhe ai rastin konkret e shikon të lidhur vetëm me karakterin dhe me orientimin fetar. “Kjo moshë – ka përfunduar mbrëmë Dragoti - ka akoma atë që quhet “tru i bardhë” dhe mund të manipulohet dhe të preket sh0

umë shpejt.

Vetëvarja e 11-vjeçares, asgjë më shumë se vetëvrasja e radhës në Fier

FIER – Rasti më i fundit i vetëvarjes së 11-vjeçares në Fier Esmeralda Cene, nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka shtuar shifrën e vetëvrasjeve, në këtë rreth, që sikurse edhe tentativat “e dështuara”, janë të shumta. Sipas specialistëve, në Fier nuk kanë munguar rastet e tjera që në kushtet e tronditjeve të rënda psikike, persona të grupmoshave të ndryshme ta kërkojnë shpëtimin te vetëvrasja. Ndër këto raste më të shpeshta janë rastet e vetëhelmimit. Specialistët japin shifrat e tentativave dhe të vdekjeve, por edhe shkaqet e kësaj “zgjedhjeje”, ndërsa nuk mungojnë edhe mendimet për kapërcimin e situatës.

Shifrat

Shifrat e tentativave për t’i dhënë fund jetës janë alarmante në qytetin e Fierit. Sipas specialistëve, qyteti i Fierit, dhe aq më tepër zonat rurale të tij, nuk u ofrojnë asgjë të mirë vajzave dhe djemve të rinj, veç vuajtjeve dhe streseve. Është tronditës fakti se fenomenin e vetëvrasjes e kanë ndërmend të gjitha moshat, bënë të ditur mjeku toksikolog i spitalit të Fierit, Kilo Stoja.

Mjeku Kilo Stoja, me përvojën e tij të gjatë në spitalin civil të Fierit, përmend se gjatë vitit që shkoi mosha më e vogël që i dha fund jetës ishte e një djaloshi 15-vjeçar, ndërsa mosha më e madhe ajo e një plake 90-vjeçare.

”Gjithsesi, shton Stoja, mosha mesatare e personave që tentojnë t’i japin fund jetës është ajo 40 vjeç”.

Fakti që shumica e perosnave që i japin fund jetës janë nga zonat rurale lidhet dhe me paragjykimet dhe mentalitetin shtypës dhe diktatorial në familje e në shoqëri që ndikon negativisht te moshat adoleshente.

”Edhe pse ata kanë shpëtuar nga tentativa e parë, thotë Stoja, nuk mungojnë rastet që ata e provojnë përsëri, pasi kur kthehen në shtëpinë e tyre në fshat, ndeshen me paragjykime dhe thashetheme të tmerrshme vrastare. Kuptohet që ata largohen nga kjo shoqëri ‘që nuk i ngop’ dhe shpëtimin e kërkojnë te vdekja”.

Shkaqet

Mjeku Stoja jep edhe njëherë alarmin për një ndryshim qoftë në tregtimin e fostoksinës, e cila po bën kërdinë, qoftë në tryezat e bisedimeve të shumë organizmave së bashku për ndryshimin e një koncepti tragjik. Shumica e të depresuarve janë për shkaqe papunësie dhe varfërie, por nuk mungojnë edhe rastet e dështimeve në dashuri, vetmisë te moshat e treta, sëmundjeve të rënda etj. Motivi shpirtëror zë edhe më shumë vend te njerëzit me karakter të brishtë dhe tejet të thyeshëm. Fostoksina po merr jetë njerëzish dhe pushteti vendor apo organizmat shëndetësore nuk bëjnë gjë tjetër veç takime të dështuar.

“Këtë vit kemi vendosur, thotë drejtori i shëndetit parësor në Fier, Rakip Gjoni, që t’u japim licensë gjithë personave që do të tregtojnë fostoksinë dhe të mos lejojmë shitjen e saj vend e pavend”.

Por, mjeku Stoja përmend rastet e shumta që tentativat ose vdekjet kanë ardhur dhe si pasojë e përdorimit të rrugorëve apo pesticidëve të tjerë, deri te koktej ilaçesh. Në këtë rast vlen nevoja për ndryshim në jetesën tonë të përditshme, duke hapur vende pune, duke minimizuar streset dhe duke qenë më pranë pushteti vendor problemeve të komunitetit.

174 tentativa vetëvrasjeje

gjatë vitit 2004 në Fier

6 në 10 raste

përfunduan me vdekje

82 për qind

femra tentuan vetëvrasjen

72 për qind

banorë të zonave rurale tentuan vetëvrasjen

15 vjeç,

mosha më e vogël e të vetëvrarëve

90 vjeç

mosha më e madhe e të vetëvrarëve

40 vjeç

mosha mesatare e tentativave për vetëvrasje

Shkaqet

papunësie dhe varfëria

dështimet në dashuri

vetmia te moshat e treta

sëmundjeve të rënda

motivi shpirtëror

Flet Kilo Stoja, mjek toksiokolog në Fier

“Shitja e fostoksinës në tezga,

burim i krimeve ndaj vetvetes”

ǒmund të na thoni për rastet e tentativave të vetëhelmimeve në rrethin e Fierit?

Është për të ardhur keq se janë jo pak, por 174 raste, duke lënë mënjanë edhe ndonjë rast që nuk është paraqitur fare në spital. Kjo do të thotë se vitit 2004 ka pasur 30 për qind më shumë tentative vetëhelmimesh sesa një vit më parë.

Pra, takimet e ndryshme për minimizimin e kësaj dukurie nuk kanë bërë efekt?

Shifrat janë kokëfortë dhe flasin vet.

Sa për qind e këtyre rasteve përfundojnë me vdekje?

Në një mesatare 6 në 10 raste janë me vdekje. Personi që ka pirë 2 kokrra fostoksinë ka vdekje të sigurt, ndërsa kur pi vetmë 1 ka mundësi për shpëtim. Këtu nuk futen rastet e rralla, kur me 2 kokrra kanë shpëtuar, ose me gjysmë kokrre kanë vdekur. Varet nga organizmi dhe shpejtësia e sjelljes në spital.

Çfarë mjekim jepni fillimisht?

Lavazh në gjithë organizmin, pastaj bëjmë urgjent analizat për të parë se ç’organ rrezikon më shumë fostoksina dhe në bazë të saj japim mjekimin. Dikujt i ka dëmtuar veshkën, dikujt zemrën apo stomakun, kryesisht ilaçe kundër toksikimit.

Më shumë të vetëhelmuar ka gra apo meshkuj?

Rreth 82 për qind e rasteve të vitit 2004 kanë qenë gra, femra të moshave nga 16 deri në 90 vjeçe siç ishte ajo e një plake nga Radostina.

Shumica e tyre vijnë nga qyteti apo zonat rurale?

Gati 73 për qind janë nga zonat rurale. Këto zona janë më të vështira për t’u jetuar nga depresivët.

Pacientët vijnë në gjendje të mirë shëndetësore apo në gjendje të rëndë?

Të gjithë pacientet dhe ata që flasin vet ose luten për shpëtim pasi kanë pirë fostoksinë janë në gjendje të rëndë. Fostoksina është e pabesë ajo vret kur nuk e pret. Kur një pacient duket se u përmirësua ka pasur raste që ai ka ndërruar jetë. Helmi depërton shumë shpejt në organizëm.

Kush nga helmet kryeson?

Fostoksina, por edhe rrugori, koktej ilaçesh deri tek ilaçi i enëve apo fosfori i shkrepseve që kanë provuar fatkeqët.

Cili është mesazhi juaj?

Si mjek dhe si prind u them “Ndal” fostoksinës. Dhe pushteti vendor duhet të kontrollojë në pikat e tregtimit, sepse ajo po shitet lirshëm në farmaci, por edhe në rrugë, apo në tregun industrial, siç është rasti i barit të miut.

Precedenti

I humbi të gjitha, kërkon vdekjen

FIER – Midis rasteve të panumërta tentativash vetëhelmimi, mjeku Kilo Stoja, kujton një djalë, i cili shpëtoi, por që mjeku nuk e fsheh dyshimin se ai mund t’i rikthehet sërish kësaj “zgjedhjeje”.

Të afërmit e tij e sollën me barelë nga fshati Frashër dhe i luteshin mjekut toksikolog për shpëtim.

“Ishte djalë i vetëm 22-vjeçar. Quhej Armand Hoxha dhe kishte pirë helmin vdekjeprurës 4 orë më parë në kushtet e tronditjes së fortë psikike, kujton Stoja. Kishte vetëm 3 muaj që ishte kthyer nga Greqia dhe gjithçka kishte fituar në punë jo të përhershme i kishte lënë atje, pasi policia greke e kishte kapur në rrugë pa dokumente. Në fshat, ai e ndjente veten fare të padobishëm, ndërsa çdo ditë i shuhej shpresa se do të kthehej në Greqi me vizë të rregullt për të marrë lekët e djersës së tij. Përveç kësaj, vajza që ai donte ishte martuar gjatë kohës së mungesës së tij. Këto përbënin arsyet që 22-vjeçari ta ndjente veten si një barkë mes dallgëve”, tregon mjeku.

Mjeku toksikolog, i vetmi i tillë në spitalin civil të Fierit, pohon se djali shpëtoi, për fat të mirë, por ai pohon se kishte një karakter tejet depresiv.

”Kam frikë se ai do të tentojë prapë, shtoi Stoja, pasi në ndryshim nga pacientet e tjerë, që kërkojnë në çastet e fundit shpëtim, ai kërkonte ta linin pa mjekim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›