E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga YouTube te Venlo

Baerke van der Meij, 18 muajsh, u paraqit në një video në YouTube duke goditur saktë tre topa në një shportë të lodrave. Kjo i siguroi atij mbi 1 milion klikime, por edhe kontratë dhjetëvjeçare nga klubi i ligës së parë holandeze, VVV Venlo. Marrëveshjen e nënshkruar e festoi me një lëng portokalli. Nga Express më 29 prill 2011 në ora 11:16

Një video, ku një fëmijë 18 muajsh godet tre topa duke i dërguar saktë në një shportë të lodrave, mori më tepër se 1 milion klikime në YouTube, por edhe një ofertë nga klubi holandez VVV Venlo, që garon në ligën e parë Eredivisie.

Baerke van der Meij, 1 vjeç, iu bashkua mesfushorit të Venlos, Ken Leemans në seancën e tij të parë të ‘provës’ me ekipin në stadiumin De Koel, ndërsa vetëm një orë më vonë nënshkroi kontratën e vlefshme për dhjetë vite.

Gjyshi i Baerkes kishte luajtur për klubin, ndërsa edhe familja e tij janë tifozë të Venlos. Me pak ndihmë nga babai i tij Jorg, ai nënshkroi kontratën dhe bëri prezantimin. Baerke pozoi për fotografi i ngjitur mbi tavolinë duke bartur fanellën e ekipit. Ai tashmë ka filluar të krahasohet me yjet si Denis Bergkamp dhe Arjen Robben.

Kontrata u festua në stadium me një gotë lëngu të portokallit, ndërsa klubi tha se ylli i tyre i së ardhmes ende ka fjalor të kufizuar, por një fjalë i mjafton – ‘bal’, që do të thotë top.

Në komunikatën e publikuar në ueb faqen zyrtare të klubit thuhej: “Pozita e preferuar e Baerkes ende nuk është përcaktuar. Mirëpo, bëhet fjalë për një futbollist i cili luan me këmbën e majtë dhe ka teknikë të mirë në goditje, është këmbëngulës dhe që është më e rëndësishmja, gjene të futbollit nga gjyshi i tij. VVV-Venlo i uron Baerkes çdo sukses për një karrierë të ndritur në futboll”.

Gjyshi i Baerkes, Jan va nder Meij, ishte mesfushor për VVV-Venlo nga 1958-60 dhe 1964-1965 dhe klubi shpreson që i riu të përcjellë hapat e tij. Edhe pse skuadra aktualisht është duke luftuar për mbijetesë në Eredivisie, nuk besohet se Baerke do të inkuadrohet në lojë së shpejti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›