E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skeraj, lojtar interesant

Nga Express më 29 prill 2011 në ora 12:59

Shqipron Skeraj i ka dhënë shenjat e para pozitive te Djurgarden, ku po provohet në ditët e fundit. Drejtori sportiv i klubit suedez, Stefan Alven ka vetëm mendime pozitive për futbollin kosovar.

“Ai tregoi shenjat e para pozitive dhe profesionizmin e tij në stërvitjet e para. Është një lojtar interesant, punëtor i madh. Mund të luajë si mesfushor i djathtë, por i pëlqen të luajë edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes”, tha Alven për ueb faqen suedeze fotbolltransfers.com.

-“Ai është zhvilluar në Gjermani, e flet gjermanishten dhe anglishten, kjo është e rëndësishme. Duke i shikuar karakteristikat e tij, të një luftëtari dhe punëtori, thjesht mund të them se është lojtar solid”, vazhdoi ai.

Alven ndërkohë tregon se ish futbollisti i Lirisë dhe i Prishtinës është në formë të mirë fizike, pasi ka ushtruar me Nurnbergun kohëve të fundit, në mënyrë që të jetë i gatshëm t’i përballojë 90 minuta. Skeraj ka mbetur pa ekip gati që një vit, pasi ishte larguar nga TuS Koblenz, i cili kishte rënë në Ligën e Tretë gjermane.

Skeraj e ka zhvilluar një ndeshje me ekipin U21 të Djurgarden dhe trajneri i kësaj skuadre, Anders Bengtsson, është ndarë i kënaqur me kualitetin e mbrojtësit prizrenas.

Bunjaku garanton për Skerajn

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, ka garantuar udhëheqësit e Djurgardenit për kualitetin që e posedon Shqipron Skeraj.

“Ai mund ta ndihmojë Djurgardenin dhe të bëhet i dashur në këtë klub. Është një mbrojtës i djathtë klasik me kualitete ofanzive mjaft interesante. Fizikusi i tij është mjaft interesant”, ka thënë Bunjaki për ueb faqen FotbollDirekt.se.

- “Do të ishte lojtar interesant për ligën Allsvenskan. Natyrisht, nëse mbetet në Djurgarden, kjo do të ishte edhe në interes timin, pasi do të luante në vazhdimësi”, vazhdoi Bunjaku, duke iu referuar faktit se prizrenasi nuk luan gati që një vit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›