Skeptikë

Me gjithë dëshirën e tyre, zyrtarë qeveritarë dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nuk besojnë se Kombëtarja shqiptare do të mund ta zhvillojë në Prishtinë ndonjë ndeshje eliminatore për ‘Euro 2012’.
Kuqezinjtë kanë njoftuar se ndeshjen e tyre të radhës të muajit shtator si nikoqirë të Francës do ta zhvillojnë në stadiumin ‘Qemal Stafa’, në të cilin më pas do të nisin punimet për ta riparuar.
Andaj, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) kishte planifikuar që ndeshjen tjetër të 11 tetorit ndaj Rumanisë, ekipi i Josip Kuzes ta zhvillojë në stadiumin e Prishtinës.
Por, kjo arenë aktualisht nuk i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Andaj, zyrtarë qeveritarë dhe të FFK-së nuk besojnë se do të mund të përgatitet stadiumi i kryeqytetit të Kosovës brenda një kohe të shkurtër për t’i shërbyer sfidës së shqiptarëve ndaj rumunëve, ndonëse drejtuesit e FC Prishtinës kanë pohuar se brenda 45 ditëve do të mund ta bënin ‘tip-top’ këtë objekt.
“Duhet së pari një intervenim i shpejtë, për një afat shumë të shkurtër në infrastrukturë, në çka jam pak skeptik se mund të arrihet. E dyta, është kushti ligjor. Federata Shqiptare duhet ta caktojë lokacionin ku zhvillohet ndeshja së paku 60 ditë më parë, me sa di unë, dhe duhet ta dërgojë në UEFA. Pastaj vjen komisioni i posaçëm që të shohë nëse plotësohen ato kritere”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
Sipas tij, ekziston edhe një problem tjetër që mund ta pengojë ekipin kuq e zi që dy ndeshjet e saj të radhës t’i zhvillojë në kryeqytetin e Kosovës.
“Është edhe një problem pak politik, sepse zakonisht merret pëlqimi i Federatës dhe jo i shtetit. Do të thotë, Federata e kërkon nga Federata e jo nga shteti. Ne nuk jemi të pranuar ende në FIFA dhe UEFA”, ka theksuar ai.
Megjithatë, Salihu thotë se nuk duhet humbur të gjitha shpresat, pasi ai ka informacione se po bëhen lëvizje të shumta për t’i filluar sa më shpejt punimet rreth rregullimit të infrastrukturës në stadiumin kryeqytetas. Ndërsa pengesat tjera të mundshme Salihu thotë se mund të tejkalohen falë respektit që Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e gëzon nga FIFA dhe UEFA.
“Fundja, edhe ‘Qemajl Stafa’ nuk e ka pasur infrastrukturën aq të pëlqyer, por, siç thotë populli, UEFA ‘ka shikuar me një sy’. Kriteret minimale, në qoftë se punohet në dy turne, mund të arrihen. Do të ishte dobi e gjithanshme. Por, t’ju them të drejtën, unë jam pak skeptik se mund të arrihet kjo”, ka nënvizuar ai.
Në anën tjetër, Malsor Gjonbalaj, këshilltar i ministrit të Sportit, Memli Krasniqi, ka pohuar se Ministria e Sportit po e shqyrton mundësinë që ta përgatitë një stadium kosovar për ndeshje ndërkombëtare. Por, ai thotë se buxheti i vogël i kësaj Ministrie është pengesa kryesore.
“Është dëshirë që ta shohim Kombëtaren e Shqipërisë të luajë në Prishtinë. Ne do ta japim maksimumin, në mënyrë që ta gjejmë ndonjë zgjidhje që të paktën ta bëjmë ndonjë investim në stadiumin e qytetit”, ka thënë Gjonbalaj.
Ai thotë se pavarësisht asaj nëse do të luhet ose jo ndeshja Shqipëri-Rumani në Prishtinë, Kosova ka nevojë të madhe për një stadium që i plotëson kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare. Ndeshjet ndaj Francës dhe Rumanisë janë të fundit që Shqipëria do t’i luajë si vendase në këtë cikël eliminator.