E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peja përforcohet me amerikanë

Pas Sigal Prishtinës, edhe Peja është përforcuar para fillimit të garave të play-offit dhe atyre të fazës finale të Kupës së Kosovës. Ish fundori i Bashkimit, Demarius Bolds dhe qendra Justin Dobbins kanë lënë Amerikën për t’u veshur verdh e zi. Trajneri i pejanëve, Bujar Loci, thotë se me këto dy përforcime ekipi i tij do të luftojë denjësisht për titull dhe për Kupë. Nga Valon Konushevci më 29 prill 2011 në ora 11:20

Pas Sigal Prishtinës, edhe skuadrat tjera që do të marrin pjesë në garat e play-off-it dhe në fazën finale të Kupës së Kosovës kanë filluar të përforcohen me basketbollistë të huaj.

Pas ‘badhekaltërve’ që u përforcuan me amerikanin Timothy Burnette, të enjten edhe Peja ka bërë kërkesë në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për t’i regjistruar dy përforcimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Justin Dobbins dhe Demarius Bolds.

Për këtë të fundit basketbolli kosovar nuk është i panjohur, pasi fundori në të kaluarën i pati mbrojtur ngjyrat e Bashkimit të Prizrenit, ndërsa së fundmi ka luajtur në një ligë amerikane, sikurse basketbollisti tjetër i pozitës qendër, Dobbins.

Këto dy përforcime e kanë gëzuar mjaft Bujar Locin, i cili me Pejën sivjet synon ta fitojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

“Skuadra ime edhe pa këto përforcime është munduar t’i rezistojë Sigal Prishtinës, por edhe ekipeve tjera. Tash, me ardhjen e këtyre dy lojtarëve, jemi dukshëm më të fortë dhe normalisht se do të luftojmë denjësisht për të dy trofetë”, ka deklaruar trajneri pejan për Express.

Pas Sigal Prishtinës e Pejës, shumë shpejt pritet të përforcohet edhe Trepça dhe të njëjtën gjë ka mundësi ta bëjë edhe Bambi. Afati kalimtar mbyllet më 2 maj.

Gjithë këto transferime nga jashtë pritet të ndikojnë në mbushjen e palestrave me shikues në fazën finale të garave për Kupën e Kosovës dhe në garat e play-off-it, në të cilat Sigal Prishtina, Peja, Bambi e Trepça do të luftojnë mes veti për tu stolisur me titullin e kampionit.

“Sigurisht se këto përforcime do të sjellin atraktivitet për tifozët e basketbollit kosovar dhe besoj se palestrat do të jenë të mbushura. Por, më e rëndësishmja është që garat të zhvillohen në mënyrë sa më të mirë, pa eksese, kurse skuadra më e mirë le të fitojë”, është shprehur Loci, i cili të dy këto përforcime do të ketë të drejt t’i aktivizoi në fundjavë në duel me Kosovën.

Aktualisht, Peja pozicionohet në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit me 48 pikë të tubuara pas njëzeteshtatë ndeshjeve të zhvilluara, katër më pak sesa lideri, Sigal Prishtina. Verdhezinjtë deri më tani i kanë shënuar 21 fitore, derisa i kanë pësuar gjashtë disfata. Një pikë më pak sesa Peja e ka Bambi, që gjendet në vendin e tretë, por ekipi serb nga Mitrovica e ka një ndeshje më pak të zhvilluar - derbin ndaj Trepçës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›