Nga kriza në krizë, moti kërcënon energjinë
Tiranë- Shqipëria po kërcënohet nga kriza energjetike, pasi moti i keq që ka përfshirë Ballkanin ka nxjerrë jashtë funskionit tregun rajonal të energjisë. Bullgaria dhe Rumania, dy prodhuesit më të mëdhenj të energjisë, kanë ndaluar totalisht eksportin, ndërsa Serbia dhe Maqedonia nuk lejojnë më transmetimin e energjisë nga rrjetet e tyre.
Për shkak të këtyre masave drastike çmimi i energjisë ka arritur nivelet maksimale, 100 euro për mega. Por ky tani eshte problemi më i vogël. Mbyllja e rrjeteve të transmetimit e bën gati të pamundur që Shqipëria të marrë energji nga jashtë edhe me çmime të larta. Në janar, KESH mundi të blejë vetëm 40 për qind të energjisë që kërkonte nga importi, ndërsa në shkurt nuk arriti të blejë dot asnjë kilovat, pasi nuk pati oferta. Shqipëria importon për momentin rreth 12 milionë kilovat orë në ditë, pjesa më madhe e kontraktuara nga vetë CEZ.
Por të dy kompanitë si CEZ ashtu dhe KESH kanë kontrata që garantojnë importin deri në fundit të muajit. Nëse reshjet e deborës zgjatin dhe tregu mbetet i mbyllur, atëherë Shqipëria mund të përballet me ndërprerje energjie. Kjo, pasi rezervat hidrike në vend janë në minimum. Niveli i ujit në Fierzë është vetëm 259 metra dhe vazhdon të ulet, sepse KESH po detyrohet të prodhojë me ritme të larta, për të kompesuar mungesën e importit. Edhe nëse moti do të përmirësohet dhe tregu rajonal rikthehet në normalitet, Shqipëria sërish do vuajë pasojat e krizës energjitike, këtë herë në planin financiar. Si asnjëherë tjetër më parë, qeveria u detyrua të ekzekutojë fondin e kontigjencës që në muajin shkurt, vetëm dy muaj pas miratimit të buxhetit, duke i dhënë koorporatës 2 miliardë lekë për të blerë energji.
Por këto para do të përdoren për të paguar faturat e dhjetorit dhe janarit, dhe ende nuk ka fonde për muajt në vijim. Në kushtet kur vendi po përballet me një tjetër krizë, atë të fatkeqësisë që ka shkaktuar moti i keq, qeveria do të jetë e detyruar të jap fonde të tjera nga buxheti për të ndihmuar banorët në zonat e bllokuara. Në total fondi i kontigjencës për këtë vit ishte vetëm 4.7 miliardë lekë, prej të cilave 2 miliardë u shpenzuan për të ndihmuar KESH-in. Qeveria ende nuk ka një faturë paraprake të kostos së krijuar nga moti i keq. Por së bashku me faturën e lartë të importit të energjisë, gjasat janë që fondi rezervë të mos mjaftojë, çka do e detyronte qeverinë të rishikonte me urgjencë buxhetin.
Edhe sikur bora te shkrijë shpejt dhe basenet e hidrocentraleve të fillojnë të mbushen, KESH sërisht do të duhet të importoje energji për të mbajtur një rezervë të mjaftueshme për stinën e verës që ka treguara këto vitet e fundit se është e thatë dhe e nxehtë.
Marrë nga TCH
Shkrime të tjera me interes:
- Ballkani në kolaps, moti kërcënon sistemin energjitik të rajonit Moti i keq, që ka përfshirë gjithë europën po kërcënon...
- Kërcënon kriza e energjisë, KESH pa para, HEC-et pa ujë Korporata Elektorenergjitike Shqiptare ka filluar importet masive të energjisë. Periudha...
- Thellohen mosmarrëveshjet, CEZ “kërcenon” me ulje të investimeve Tiranë- Pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë(ERE), se nuk...