Olldashi: Rruga e Arbërit shkurton largësinë Tiranë-Shkup
Distanca mes dy kryeqyteteve shkurtohet me 10 km
Gati tenderimi për dy lotet e tjera të këtij aksi
Rruga e Arbërit është një arterie me rëndësi të veçantë në rrjetin rrugor kombëtar. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po ecin me ritme të mira dhe ky fakt është vlerësuar edhe nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Ministri Olldashi u shpreh dje për median se kjo rrugë ka rëndësi të madhe, pasi ajo shkurton distancën mes Tiranës dhe Shkupit, duke afruar më shumë dy kryeqytet e vendeve fqinje. “Ndërtimi i rrugës së Arbërit shkurton distancën aktuale mes Tiranës dhe Shkupit me rreth 100 km, ndaj dhe do të procedohet me të gjithë shpejtësinë e mundshme për ndërtimin e kësaj arterieje kryesore”, - është shprehur për gazetarët ministri Olldashi. Sipas tij, janë instruktuar studiot projektuese që të zgjedhin alternativën më të shkurtër të rrugës së Arbërit, pavarësisht kostove financiare që mund të jenë më të larta. Ministri ka informuar se po punohet në drejtim të tre loteve, ku njëri është tenderuar dhe po punohet, dhe dy të tjerë janë në fazë tenderimi. Sipas kreut të MPPTT-së, Olldashi, tre lotet kanë ecuri të mirë. "Nga Bulqiza deri në Gurin e Bardhë projekti është tenderuar vitin që kaloi dhe presim përfundimin e tij shumë shpejt, ndërsa dy lotet e tjera nga Guri i Bardhë deri në Qafë-Murriza dhe nga Qafë-Murriza deri në Tiranë, janë në procedura tenderimi", - vlerësoi ai. Z. Olldashi theksoi se për secilin lot do të aplikohet e njëjta procedurë. "Me të mbaruar projekti do të certifikohet nga drejtoria teknike për parametrat e tij, më pas do të tenderohet në mënyrë që me këtë rrugë të ecet sa më shpejt, pasi konsiderohet një arterie e rëndësishme për zhvillimin jo vetëm të infrastrukturës së vendit dhe lidhjen e transportin me zonat veriore të Shqipërisë, por edhe me Maqedoninë", - tha ministri Olldashi. Nga ana tjetër, ai garantoi forcimin për realizmin e projekteve sipas loteve të përcaktuara. Sipas tij, mundësitë financiare janë, por duhet të përfundojnë projektet dhe të zgjidhet alternativa më e mirë. "Ne kemi instruktuar studiot projektuese të zgjedhin alternativën më të shkurtër, pavarësisht kostos financiare që mund të jenë më të larta", - shprehet Olldashi. Rruga e Arbërit cilësohet si e dyta për vlerat e ekonomike pas rrugës Kukës-Morinë. Ndërtimi i rrugës së Arbërit shkurton në mënyrë të ndjeshme rrugën e transportit që lidhin Tiranën dhe portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin, Shkupin. Rruga e Dibrës, e quajtur Rruga e Arbërit, është e gjatë 75 kilometra. Sipas projektit, rruga parashikohet të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 kilometra në orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore edhe se ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500-2000 metra. Kjo rrugë do të kalojë në 10 zona, ku do të shkurtojë 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Pra, fillimet e saj i ka në Tiranë më pas në Zall Dajt, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Plani i Bardhë, Bulqizë, Ura e Çerenecit, Gjoricë, Dibër. Aktualisht rruga ekzistuese shtrihet në Tiranë, Milot, Burrel, Bulqizë, Shupenzë, Maqellarë, Bllatë, Dibër. Kjo rrugë është e gjatë 173 kilometra dhe është në stilin gjarpërues. Ndërkohë vazhdimi i Rrugës së Arbërit në territorin e Maqedonisë, pas kalimit të kufirit shqiptar fillon në Gjoricë, aty ku lugina e Drinit në Zatarajca, poshtë urës së vjetër me harqe të Spiles, e cila është mbuluar nga diga e hidrocentralit të Dibrës së Madhe. Nga Dibra në drejtim të Gostivarit rruga kalon nëpër grykën e Radikës, duke vazhduar më tej në drejtim të Gostivarit, Tetovës, Shkupit e Sofjes.