E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga viti i ardhshëm rriten pagat e policëve

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi vizituan të enjten Policinë e Kosovës, me çrast kërkuan nga ky institucion që të zbatojë ligjin, ndërsa premtuan rritje të pagave për policët kosovarë.

Kryeministri Thaçi paralajmëroi se që nga fillimi i vitit të ardhshëm do të ketë rritje të pagave për policët kosovarë. Unë nuk dëshiroj të flasë me ditë dhe data por është zotimi i përbashkët i gjitha institucioneve të Kosovës për sistemin e ri të pagave, për përmirësimin e bazës materiale dhe kjo do të ndodhë me gjasë në fillim të vitit të ardhshëm, u shpreh Thaçi, transmeton KosovaLive.

Kurse presidenti i vendit kërkoi nga policia zbardhjen e vjedhjes së rëndë që ka ndodhur para gjashtë muajve në dhomën e dëshmive.

Sejdiu tha se Policia e Kosovës është në shërbim të vendit dhe nuk mund të identifikohet me rrjedha politike. Është e karakterit multietnik me strukturën që ka dhe është një polici që do të bashkëpunojë në mënyrën me të mirë të mundshme me partnerët që i kemi, në këtë rast edhe me EULEX-in dhe me vendet fqinje në parandalimin e krimit të organizuar dhe formave të tjera që kanë për qëllim rrënimin e stabilitetit të vendit, vlerësoi Sejdiu.

Drejtori i Policisë, Sheremet Ahmeti, nuk është pajtuar me pohimet që i kanë vlerësuar si spektakël arrestimet e zyrtarëve të policisë në rajonin e lindjes të dyshuar për kryerje të veprës penale, marrje ryshfeti. Ai theksoi se kurdo që dëshmohet se keqpërdoret detyra zyrtare policët do të arrestohen pa marrë parasysh gradën apo pozitën e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›