E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet masive, mbërrin drafti në Kuvend

Në Kuvend ka mbërritur projektligji për përgjimin e telekomunikacioneve. Kjo vjen në plotësimin e kuadrit ligjor, që qeveria ka ndërmarrë, ku u jep të drejtë të kërkojnë përgjimin e të gjitha ministrive që kanë polici me funksionet e policisë gjyqësore. Ndërhyrja e parë që propozohet është në nenin 6 të këtij ligji, që thotë se "Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore". Në projektligj parashikohet që pas fjalëve "Ministrisë së Mbrojtjes" të shtohen "ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore...". Ndryshimi tjetër është në nenin 8 të këtij ligji, ku thuhet se "Prokurori i Përgjithshëm, ose në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Rendit Publik, ministrit të Mbrojtjes ose ministrit të Drejtësisë, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit". Në këtë nen propozohet që pas fjalëve "...ministrit të Drejtësisë..." të shtohen "...ministrit, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore...". Teksa janë në pritje të mbërritjes zyrtare të këtij projekti të qeverisë, deputetët e majtë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare e cilësuan për "Shqip" si skandaloze këtë nismë të qeverisë. Sipas tyre, me këtë projekt krijohet një liberalizim dhe kushdo ka të drejtë të kërkojë përgjim. Jo më larg se në muajin mars të këtij viti, mazhoranca ndërhyri në po këtë ligj për përgjimet. Në atë kohë, me amendamente të veçanta, u shtuan institucionet që kanë të drejtë të realizojnë përgjimet e telefonave në vend. Qeveria i dha të drejtë jo vetëm SHISH-it të përgjojë telefonat, por edhe Policisë së Shtetit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Nisma shkaktoi shumë debate në radhët e politikës, çka u pasqyrua sidomos në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Opozitarët e majtë deklaruan se në këtë formë cenohet rëndë pavarësia e përgjimeve dhe komprometohet si proces.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›