E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Do ulim kostot e prodhimit bujqësor

Kryetari i PS-së, Edi Rama, vijoi dje rrugëtimin në komunat e qytetit të Gramshit. Gjatë takimit të tij në Skënderbegas ai bashkëbisedoi për realitetin e trishtë të këtyre zonave, të cilat duhet të jetonin në mirëqenie me produktin e tyre bujqësor. Qeverisja ka dështuar, tha Rama në mbajtjen e të gjitha premtimeve, për të cilat u votua në korrik 2005. Sipas tij, Sali Berisha u zgjodh me votë për të luftuar korrupsionin, por është sot njeriu më i dyshuar në Shqipëri për zhvillimet më të rënda të korrupsionit. "Ai e ka mbyllur misionin dhe sot është një problem i madh për shqiptarët, sepse po keqqeveris, sepse shqiptarët janë sot më të varfër dhe më të papunë se çfarë ishin, sepse fshati është sot më keq se sa ishte", insistoi kreu i PS-së. Rama bëri thirrje "që socialistë e demokratë, të ndahemi nga kjo politikë e vjetër, e cila ka shkuar duke i çuar gjërat keq e më keq, thellë e më thellë, sepse sot një nga problemet kryesore që ka fshati, janë kostot e prodhimit". "Vetëm nga rritja e sipërfaqes së punueshme mund të ulen kostot deri në 40%. Atëherë të ndërtojmë një politikë të re, të nxisim bashkëpunimin mes bujqve dhe fermerëve me mbështetje financiare dhe të ulim koston e prodhimit", u shpreh kreu i opozitës. "Gjëja më e lehtë që unë mund të bëj, është të premtoj çfarë ju doni dhe t‘ju them se do i bëjmë këto të gjitha. Por, unë nuk e bëj këtë gjë. Nuk kam ardhur t‘ju bëj premtime për të gjitha gjërat që ju doni, sepse kjo është e pamundur", insistoi Rama. Kam ardhur këtu për t‘ju thënë, shtoi ai, se i vetëm nuk bëj dot asgjë, por të gjithë së bashku mund të realizojmë gjëra që sot duken të pamundura. "Së bashku mund të shkojmë aty ku sot duket sikur nuk do të arrijmë dot kurrë. Ne së bashku, mund ta ndërtojmë të nesërmen", vlerësoi Rama. Për këtë arsye, kreu i socialistëve i mëshoi idesë së një bashkimi të ri, me vetëdijen se përpara se të jemi socialistë e demokratë, jemi qytetarë e qytetare të këtij vendi, që jetojmë në fshat, jetojmë në qendër, në periferi, larg apo afër rrugës. Kryesocialisti gjatë këtij takimi shprehu sakaq bindjen e tij se programi i ri qeverisës i PS-së do të hapë një epokë të re në bujqësi dhe zhvillimin rural.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›