E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngelen gjysma e nxënësve të shkollave të mesme

Është bërë i ditur suksesi i gjysmevjetorit të parë i nxënësve parauniversitarë të Komunës së Gjilanit sot në Komitetin e Arsimit, ku është paraqitur edhe një raport. Rënia e suksesit, mungesat dhe nxënësit e pa notuar mbesin sfidë edhe më tej për shkollat e Gjilanit.

Në arsimin e mesëm të ultë, ku vijojnë 7236 nxënës, me sukses pozitiv kanë dalë 81 për qind, me sukses negativ janë 19 për qind. Ndërkaq të pa notuar figurojnë 20 nxënës.

Në arsimin e mesëm, ku vijojnë 7627 nxënës, me sukses pozitiv janë vetëm 51.34 për qind e nxënësve, rreth 48 për qind kanë sukses negativ, kurse 57 nxënës figurojnë të pa notuar.

Komiteti i Arsimit e ka shqyrtuar raportin e suksesit të gjysmëvjetorit të parë në shkollat e Gjilanit, të cilin e ka paraqitur Jetmir Jerliu, zyrtar për Arsim.

E, në arsimin fillor, ku vijojnë 7736 nxënës, me sukses pozitiv në gjysmëvjetorin e parë kanë dalë 99 për qind e tyre, me sukses negativ kanë qenë 0.82 për qind, ndërsa 6 nxënës figurojnë të pa notuar.

Nota mesatare në të tria nivelet është 3.57. Niveli i parë (1-5), ka arritur notë mesatare prej 4.54, niveli i dytë (6-9), ka notë mesatare 3.57, ndërsa niveli i tretë (10-13) ka dalë me notë mesatare 2.62.

Sipas Jerliut, në aspektin krahasues, suksesi mbetet përafërsisht i njëjtë me gjysmëvjetorin e parë të vitit ë kaluar shkollor. Ndërkohë në arsimin fillor ka rritje simbolike të suksesit pozitiv, por që nuk arrin as deri te një për qind, te arsimi i mesëm i ultë ka një rënie të suksesit më shumë se një për qind, sikurse edhe te arsimi i mesëm i lartë, që rënia e suksesit pozitiv shkon në 2 për qind.

“Arsimi i mesëm i lartë prin edhe për numër mungesash të nxënësve – 74303 gjithsej, ose rreth 10 mungesa për çdo nxënës. Në arsimin e mesëm të ultë, mesatarja e mungesave për kokë nxënësi është rreth 5, ndërsa në nivelin fillor – më pak se dy mungesa për çdo nxënës. Rënie të mungesave ka te arsimi i mesëm i ultë", ka thënë Jetmir Jerliu, zyrtar për Arsim.


Shkëlqim Latifi, kryesues i Komitetit të Arsimit, tha se gëzon fakti që numri i mungesave ka shënuar një rënie të lehtë, por ka hapësirë për t`u përmirësuar ende gjendja në arsim, si në aspektin e suksesit të nxënësve, ashtu edhe në vijueshmërinë e tyre.

Këshilltarja komunale Ajtene Shahiqi nga AAK, ka thëne se është e brengosur me numrin e nxënësve të pa notuar, që sipas raportit është 83 dhe kërkoi që autoritetet arsimore të ofrojnë informacione pse dhe si ka ndodhur që kaq nxënës të mbeten pa u notuar.

Edhe Saranda Bllaca nga LDK, tha se është e brengosur me suksesin negativ në arsimin e mesëm, sukses ky që në fund të vitit ndryshon shumë. “Si është e mundur të ndodhë kjo me të njëjtit nxënës”, ka thënë ajo, ndërkohë që kërkoi t`i bëhet një analizë me e gjerë kësaj problematike.

E, Rashit Sahiti nga LDK, duke e marrë parasysh numrin e madh të mungesave të nxënësve, tha se shkollave duhet të t`u lejohet të kenë rregullore të brendshme për disiplinë.

Duke u dhënë përgjigje këtyre shqetësimeve, Jetmir Jerliu ka thënë se shifrat për numrin e nxënësve të pa notuar, në fund të vitit ndryshojnë dhe nuk mbeten më tepër se 4-5 nxënës, “por në këtë gjysmëvjetor janë evidentuar kështu, mbase për shkak se ndonjë nxënës ka migruar me familje, ka ndërruar vendbanimin, ose shkollën dhe arsye të tjera, por nuk mund të flitet për braktisje të shkollimit”. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›