Thaçi: Takova shefin e Ahmetit, BDI-ja: shefi është populli

Zgjedhjet e ardhshme lokale kanë qenë në fokus të bisedës prej 40 minutash mes kryeministrit Gruevski dhe kreut të PDSH-së Menduh Thaçi. Ky i fundit pas takimit deklaroi se për shumë gjëra vazhdon të mos pajtohet me Gruevskin, por ka edhe çështje për të cilat pajtohen, me ç’rast përmendi prioritetin e euro-integrimeve. Thaçi ka kërkuar nga Gruevski angazhim si qeveri për zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Biseduam për zgjedhjet lokale. Qëndrimi ynë ishte se qeveria mban përgjegjësinë kryesore që zgjedhjet të jenë fer, korrekte dhe demokratike. E përkujtova kryeministrin se shumë zyrtarë të lartë të BDI-së, që kanë funksione tani, nuk janë të dënuar, por lëndët e tyre kanë ngelur nëpër sirtarë të gjykatësve.
Po ashtu, implikimet e ndryshme të drejtuesve të institucioneve të shtetit, siç është kryeshefi i policisë Tetovë-Gostivar u ofron njerëzve mitë që t’i blejnë votat e maqedonasve për Tetovë. Përfundimisht u morëm vesh që të ketë një komunikim mes shtabeve zgjedhore që të mos ketë ngatërresa gjatë fushatës, ngatërresa teknike”, tha Menduh Thaçi, raporton Alsat-M
Thaçi u shpreh se nuk e sheh të arsyeshme që të takohet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, pasi tha se e takon shefin e Ahmetit që, sipas tij, është Nikolla Gruevski. Thaçi madje tha se pas zgjedhjeve lokale, të cilat partia e tij do t’i fitojë kundrejt BDI-së me së paku një votë më tepër, do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Takimi i sotëm Gruevski-Thaçi ishte i pari pas pesë vjet ndërprerje të komunikimit zyrtarë mes dy ish partnerëve të koalicionit qeveritar gjatë periudhës 2006-2008, kur PDSH-ja ishte pjesë e qeverisë.
Pas këtij prononcimi ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila e ka përshëndetur takimin e sotëm mes Thaçit e Gruevskit, por ka theksuar se logjika e Thaçit, e të pasurit shef tek partitë maqedonase, sikur atëherë kur morri titullin Vojvodë, si dhe kur nëpërkëmbi vullnetin e shqiptarëve në vitin 2006, nuk do të përsëritet asnjëherë. Sipas BDI-së, shef i kësaj partie dhe i Ali Ahmetit është vetëm populli./Indeksonline/