Ngjarjet e 14 shtatorit, si vendosi parlamenti heqjen e imunitetit të Sali Berishës

Sali Berisha më 14 shtator 1998
Aleatët aktualë të Berishës që firmosën heqjen e imunitetit të tij në 18 shtator 1998. Debatet e mazhorancës socialiste për 14 Shtatorin dhe roli i kryeministrit Nano që mungoi në krye të detyrës 36 orët që pasuan 14 Shtatorin
Vetëm pak orë i janë dashur prokurorisë për përcaktimin e përgjegjësit për ngjarjet e 14 Shtatorit të vitit 1998 në Tiranë. Prokuroria e drejtuar asokohe nga Arben Rakipi i kërkoi parlamentit heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha, dhe më pas ndjekjen penale të tij si përgjegjës për ngjarjet e 14 shtatorit, ditë në të cilën u sulmuan institucionet shtetërore. Ngjarjet e 14 Shtatorit, ku u sulmuan institucionet erdhën si pasojë e acarimit të turmës së protestuesve të PD, të cilët ishin mbledhur për të protestuar kundër vrasjes së deputetit të kësaj partie, njërit prej themeluesve të saj, Azem Hajdari. Ai u vra në oborrin e PD natën e 12 shtatorit 1998. Sali Berisha bashkë me drejtues të tjerë të opozitës u vunë në krye të protestave, të cilat degjeneruan në sulme kundër institucioneve shtetërore, kryeministrisë, parlamentit apo edhe godinës e Televizionit Publik Shqiptar. Godinat u sulmuan duke u djegur dhe shkatërruar nga protestuesit, dhe e gjithë kjo situatë u cilësua si grusht shteti nga drejtuesit e atëhershëm të mazhorancës socialiste. Prokuroria i përcolli Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha dhe disa deputetëve të tjerë, njëherësh i kërkoi parlamentit pëlqimin për arrestimin e Berishës dhe të tjerëve deputetë të PD-së. Parlamenti i mbledhur në seancën plenare të datës 18 shtator, katër ditë pas ngjarjes, vendosi heqjen e imunitetit të Berishës, por jo të deputetëve të tjerë. Ishte pikërisht heqja e imunitetit nga parlamenti që i hapi rrugë arrestimit të Berishës pak kohë më vonë, gjatë qeverisjes nga qeveria Meta.
Heqjen e imunitetit të Berishës si deputet e kanë firmosur deputetë, të cilët aktualisht gjenden në krahun e tij si ministra apo edhe si aleatë në koalicionin qeveritar.
Por më parë se të merrej ky vendim deputetët e mazhorancës debatuan në seancën plenare të datës 16 shtator për çfarë kishte ndodhur në 14 Shtator, ku ishte kryeministri përgjatë 36 orëve dhe cilat masa ishin marrë për të izoluar ata që mazhoranca e atëhershme i quante autorë dhe drejtues të grushtit të shtetit apo kryengritjes së armatosur kundër institucioneve të shtetit.
Seanca parlamentare e 16 shtatorit
16.09.1998
Luan Rama - Zoti Kryetar, mbrëmë Kryeministri deklaroi këtu se pas vendimit që ka marrë Qeveria deri në agim nëse nuk dorëzoheshin grupet e banditëve të armatosur në selinë e Partisë Demokratike, ndaj tyre do të vepronte forca e ligjit përmes organeve të rendit. Prandaj është urgjent, mendoj unë, që deputetët e Kuvendit Popullor të informohen në mos nga Ministri i Rendit se mund të jetë i zënë, nga njëri prej titullarëve të Qeverisë, Kryeministri ose njëri nga zëvendësit e tij se çfarë është bërë për zbatimin e këtij vendimi të marrë nga Qeveria dje dhe për të cilin u informuan dhe deputetët e Kuvendit Popullor. Kjo të jetë një seancë informimi urgjent, qoftë tani ose në një orar më të vonë.
E dyta që mendoj unë, mbrëmë ju bëtë me dije për Kuvendn Popullor që prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të disa deputetëve. Duhet të raportojë Komisioni i Mandateve, i Imuniteteve dhe i Rregullores se çfarë ka bërë në mënyrë që ti hapet rruga procedimit të mëtejshëm sipas procedurës dhe Rregullores së Kuvendit Popullor. Ju falemnderit!
Do të ishte me interes dhe në të mirë të punës së Parlamentit dhe në unison me emergjencën që kërkon situata që anëtarët e Qeverisë, Kryeministri, në se nuk kanë ndonjë angazhim urgjent të jenë në Parlament për të diskutuar për të vendosur bashkërisht hap pas hapi për situatën derisa të arrihet eleminimi i çdo vatre që mund të gjenerojë më tej grushtin e shtetit.
Spartak Braho - Zoti Kryetar, ju dje vutë në dijeni Kuvendin Popullor që Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur kërkesë për vënien në diskutim të imunitetit të disa deputetëve, sot në mëngjes Komisioni i Mandatit dhe i Imunitetit është mbledhur dhe ka vendosur që të zbatojë Rregulloren e këtij Kuvendi, të zbatojë vetëm ligjin. Ne do të gjykojmë me kokë të ftohtë, larg pasioneve, larg presioneve nga çdo krah qofshin. Për këtë qëllim, mbështetur në nenin 176 të Rregullores është e domosdoshme që deputetët për të cilët organi i prokurorisë ka kërkuar heqjen e imunitetit të vihen në dijeni me këtë kërkesë.
Së dyti, po kjo Rregullore, po kjo dispozitë e saj kërkon që ata të jenë të pranishëm në komision dhe vetëm pasi komisioni të bindet se ata refuzojnë në mënyrë të paarsyeshme, të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e prokurorit.
Prandaj, komisioni vuri në dijeni, priti në orën 12.00 të vinin deputetët përkatës, do ti thërrasë përsëri në orën 14.00, do ti thërrasë edhe një herë në orën 16.00 dhe vetëm pas kësaj kohe ai do të mblidhet. (Dëgjohen zëra nga salla.) Unë përgjigjen e dua me shkrim, nuk merrem me llafe gazetash.
Skënder Gjinushi - Zoti Braho, ju lutem mos komunikoni me të tjerët, informoni Kuvendin!
Spartak Braho - Atëherë mbani rregull që të mos flasin të tjerët, e dha përgjigjen, thotë ai. Se çfarë ka thënë Berisha unë nuk di gjë, unë e dua me shkrim.
Skënder Gjinushi - Të lutem, dhe atij po i flas, i fola një herë atij të pushojë pastaj ju thashë edhe juve të vazhdoni. Nuk bëhet debat për zbatimin e Rregullores.
Spartak Braho – Zotërinjtë e Komisionit të Mandateve të jenë të pranishëm këtu, të mos rri unë të bredh mbas tyre dhe në orën dy edhe në orën gjashtë. Edhe një herë zoti Kryetar, ju kërkoj që ti krijoni kushte pune këtij komisioni.
Skënder Gjinushi - Dakord, ju faleminderit!
Atëherë, kalendari i paraqitur gjen mbështetjen tuaj. Për sa i takon komentit të parë, ose shqetësimit të parë, azhornimit të kalendarit të Parlamentit ose faktit që Parlamenti do të merret me projektligjet ose do të merret edhe me problemet e tjera. Sigurisht që Parlamenti do të merret edhe me problemet e tjera, por ju kujtoj që kjo varet nga iniciativat tuaja si deputetë ose si grupe Parlamentare. Pra Parlamenti vlerëson dhe besoj që vlerëson që të ndjekë nga afër tërë zhvillimet politike, situatën ne vend, dhe për të ndjekur këtë, përveç debatit që mund të bëjmë ne këtu brendapërbrenda është dhe thirrja e ministrave të veçantë ose e Kryeministrit për këtë çështje.
Dje ne e nisëm pikërisht me një debat ku Parlamenti shprehu vlerësimin e vet për situatën. Pra ajo ishte për çfarë ndodhi kurse nuk është shprehur për çfarë mendon se çfarë masash duhen marrë për të ardhmen. Ka vetëm një pikë që Parlamenti mbështet, për shembull, iniciativat e Presidentit të Republikës që kemi vënë ne në deklaratën e djeshme. Megjithatë, nga sugjerimi që u bë nga zoti Lesi ose ndonjë tjetër, ju, në qoftë se vlerësoni, dhe me siguri që shumica është dakord, thirret Kryeministri dhe raporton cila është analiza e qeverisë për çfarë ndodhi. Jo thjesht për përcaktimin e termit grusht shteti ose jo, por edhe cilat ishin defektet e qeverisë, çfarë problemesh ndodhën gjatë kësaj ngjarjeje dhe çfarë masash janë marrë. Kjo është njëra anë, më tej në qoftë se Parlamenti kërkon të bëhen dhe ndryshime, është përsëri e drejta e deputetëve të kërkojnë. Por këto kërkohen gjithnjë në rrugë procedurale konform Rregullores.
Nikollë Lesi - Më fal zoti Gjinushi, e di që nuk duron