E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një lexim demokrat i rastit Biberaj

Besnik Mustafaj 

Duket sikur zhvillimet e  javës së fundit e nxorën sakaq jashtë vëmendjes së opinionit publik rastin Biberaj. Nuk është e vërtetë. Të paktën për sa na përket ne, demokratëve, vazhdojmë ta diskutojmë gjerësisht midis nesh. Por jo nëpër institucionet e partisë, sepse ato nuk mblidhen. Ne vazhdojmë ta diskutojmë midis nesh, nëpër tavolina, pa arritur t'i japim dot një përgjigje të qartë dhe bindëse pyetjes përse ndodhi. Problemi nuk është aspak për t'i qarë hallin njërit prej demokratëve, sepse as vetë Aleksandri, në daljet e tij publike si strumbullar i kësaj historie të keqe, nuk na ka lënë aspak përshtypjen se ndjehet në ndonjë hall të madh, që do të thotë se ai po e përjetonte këtë histori si humbjen e diçkaje të rëndësishme për karrierën e tij personale politike. Jo. Në të gjitha rastet para gazetarëve ai dha shpjegime me një qetësi prej politikani të pjekur, i cili nuk pajtohet me shkeljen e rregullave, mbi të cilat ngrihet një organizatë politike serioze dhe jo si viktimë, që ankohet për padrejtësinë e pësuar. Dhe në të vërtetë, nëse e shohim çështjen thjesht në optikën e interesave të tij personale, ai fitoi shumë më tepër se sa humbi nga kjo histori.
Pra, në diskutimet nëpër mjediset tona, ne, demokratët, vazhdojmë të nxitemi jo nga kureshtja, por nga shqetësimi se përse ndodhi kjo gjë. Sepse ne e dimë se çfarë ndodhi tashmë. Një ditë prej ditësh, pas vitit të ri, kur të gjithë deputetët vazhdonin ende pushimet, zonja Topalli thirri në zyrën e saj apo diku tjetër kryetarin e grupit parlamentar demokrat, zotin Patozi, u këshillua  me të siç i jepte të drejtë rregullorja e Parlamentit dhe mandej i shkroi një letër zyrtare Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku e njoftonte se zoti Aleksandër Biberaj, në sesionin e ri që po fillonte, nuk do të ishte më kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në këtë Asamble të nderuar. Madje nuk do të ishte fare as pjesë e delegacionit. Edhe pse me shumë vonesë, kur gjërat ishin mbyllur tashmë, kaq shpjegim mori mundimin të na e jepte vetë zonja Topalli. Ama, kaq nuk na mjafton ne, demokratëve. Ne kemi nevojë për një arsyetim parimor, që të bindemi se ky veprim nuk ishte një kapriçio e nënkryetares së Partisë tonë, njëherësh edhe kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, të cilës mund të mos i ketë pëlqyer, bie fjala,  mënyra si buzëqesh Aleksandri, nuk ishte, bie prapë fjala, as humbje e vetëkontrollit për shkak të zilisë pse Aleksandri qenka bërë shumë i respektuar te kolegët e vet europianë në Strasburg, nuk ishte as orvatje, siç pëshpëritet, për t'i dhënë një goditje të tërthortë ish-homologut të saj në Partinë tonë e tani President i Republikës, zotit Topi, me të cilin Aleksandri paska miqësi. Njëqind hamendje si këto sillen e mbështillen në bisedat e demokratëve, ndërkohë që sinqerisht ne kemi nevojë për një arsyetim parimor, që të bindemi se zonja Topalli e ndërmori këtë veprim për t'i shërbyer vetëm përmirësimit të punës, domethënë,  forcimit të autoritetit të Partisë Demokratike si forcë politike shtetformuese.
Por askush nga ne, anëtarët e Partisë Demokratike, nuk mund ta japë këtë shpjegim përveç vetë zonjës Topalli, e ndoshta, deri diku, edhe zoti Patozi si pjesëtar i vendimmarrjes. Zonja Topalli nuk harroi të na e kujtonte ne edhe gjithë shqiptarëve nga poltroni i Kryetares së Kuvendit se ishte në të drejtën e saj që, në këshillim me kryetarin e grupit parlamentar në fjalë, të caktonte përbërjen e delegacioneve që përfaqësojnë Kuvendin e Shqipërisë në institucionet e ndryshme ndërkombëtare. Rrjedhimisht, në rastin konkret edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Plotësisht e vërtetë. Por kaq është vetëm gjysma e meselesë. Zonja Jozefinë ka bërë shumë mirë që i ka përvetësuar të drejtat që i takojnë për hir të funksionit ku e kemi zgjedhur dhe që ende nuk jemi penduar që e zgjodhëm. Por, që të mos pendohemi deri në fund, që do të thotë të kemi dëshirë ta zgjedhim prapë, zonja Jozefinë duhet t'i përvetësojë po kaq mirë edhe detyrimet që i burojnë po në sajë të funksionit, që i kemi dhënë ne, demokratët, detyrime, të cilat nuk janë në vullnetin e saj nëse duhet t'i zbatojë apo jo. Kjo është politika, zonja Jozefinë, të drejta shumë, por edhe shumë detyrime!
Dhe, meqë Jozefina është ende e re, që do të thotë se ka ende shumë vite të mundshme për t'ju kushtuar politikës, fat që unë ia uroj me gjithë zemër, unë, me të drejtën e veteranit në Partinë Demokratike dhe në Kuvendin e Shqipërisë, ku kam zënë vend qysh në zgjedhjet e para të lira 18 vjet më parë, po ia kujtoj sot asaj disa nga detyrimet më thelbësore, që nuk i ka respektuar në rastin e Biberajt. Qysh në çastin kur në mendjen e saj u poq mendimi se Aleksandri nuk e meritonte më të na përfaqësonte në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ajo duhej ta kishte thirrur Aleksandrin në zyrën e saj dhe t'ia rendiste të gjitha vërejtjet. Sepse një vendim i tillë nuk merret për qejf. Të dëgjonte me durim edhe përgjigjet e tij dhe në fund të merrte vendimin që ajo do ta quante më të drejtë. Nuk e ka bërë. Aleksandri e ka mësuar lajmin nga mediat, siç jemi njoftuar. Gabim i rëndë. Kjo quhet etikë, Jozefinë. Politikë të shëndoshë në demokraci pa etikë të shëndoshë nuk ka. Më tej. Jozefina duhej t'i bënte të njohura për demokratët në radhë të parë dhe pastaj për gjithë opinionin publik arsyet që e shtynë në një vendim të tillë. Dhe kjo quhet transparencë, Jozefinë. Politikë të qëndrueshme në demokraci pa transparencë të vendimmarrjes nuk ka. Pas marrjes së vendimit në këshillim me kryetarin e grupit tonë parlamentar, ashtu siç parashikohet në rregullore, zonja Topalli duhej të njoftonte Kuvendin për zëvendësimin e zotit Biberaj në delegacionin e Kuvendit tonë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Mandej ta niste njoftimin në Strasburg. Kjo quhet procedurë, Jozefinë. Nënvizoji këto tri gjëra! Demokraci institucionale pa respektim rigoroz të procedurave nuk ka.
Perceptimi që mori opinioni ynë publik nga kjo histori, qe i hidhur. Veçanërisht i hidhur mbetet për ne, demokratët. Qindra e qindra prej nesh, jo vetëm në Tiranë, por edhe ngado nëpër Shqipëri, janë gjendur përpara pyetjes së qytetarëve të thjeshtë, të paangazhuar politikisht se ç'pati Jozefina me Aleksandrin? Si t'u përgjigjemi ne këtyre njerëzve, kur vetë zonja Topalli nuk na ka shpjeguar asgjë. Por tani jemi para zgjedhjeve parlamentare. Dhe këta qytetarë që pyesin, të shqetësuar pse në këtë histori ka munguar etika, transparenca dhe respektimi i procedurës, janë po ata, të cilëve ne, në qendrat tona të banimit apo atje ku punojmë, do t'u drejtohemi pas pesë muajsh për t'u kërkuar votën. Sepse Partia Demokratike e meriton një mandat të dytë jo thjesht që zonja Topalli të zgjidhet edhe një herë kryeparlamentare, por që qeverisja jonë t'i shkojë deri në fund programit tonë të madh për modernizimin e vendit.
Dhe në mbyllje, duke e parë për një çast historinë më ngushtë fare, konstatoj që hamendjet e llojit si ato që përmenda më sipër e dëmtojnë rëndë personalitetin publik e politik të zonjës Topalli. Ajo vetë e para duhet të shqetësohet për imazhin e saj. Por ka vend të shqetësohemi edhe ne, demokratët, të gjithë, kur dëmtohet imazhi i nënkryetares tonë. Sepse në demokraci është shumë i gjatë dhe i mundimshëm procesi i formimit të lidershipit të partisë. Përsa i përket zotit Biberaj, siç edhe thashë më sipër, mendoj se ai personalisht fitoi shumë më tepër nga sa humbi nga kjo histori e keqe. Në sajë të vëmendjes që tregoi opinioni i gjerë publik, ai pati rastin të shpaloste një pjekuri politike të respektueshme, pjekuri, për të cilën ka nevojë elektorati, që të na besojë edhe një herë pushtetin. Ky ndoshta është një ngushëllim i vogël për ne, masën e demokratëve. Por ne nuk na mjaftojnë ngushëllimet e vogla për t'u qetësuar.
besnik@afalc.org

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›