Prishtina, OK në parim planit të Ban Ki Moon
Pas një takimi të gjatë, udhëheqësit e institucioneve kosovare janë shprehur parimisht dakord me dokumentin e Sekretarit Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Në këtë mënyrë është pranuar se misioni i UNMIK-ut nuk do të përfundojë më 15 qershor, si parashihet me pakon e Ahtisaarit, por fillimin e tranzicionit nga kjo datë.
Pas një takimi që zgjati rreth 3 orë, të thirrur nga presidenti Fatmir Sejdiu, ku morën pjesë dhe kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, liderët e tri partive më të mëdha opozitare, si edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, dhe përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, u tha se nga letra e Ban Ki Moon-it përshëndetet sidomos rikonfigurimi i UNMIK-ut.
Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Prishtina e vlerëson qasjen e Sekretarit të Përgjithshëm në njohjen e realitetit të ri pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
"Vlerësimin dhe marrjen parasysh të realiteteve të zhvilluara në Kosovë që lidhen me shpalljen e pavarësisë, hyrjen në fuqi të Kushtetutës dhe gjithë proceset që kemi kaluar, duke pasur parasysh edhe zotimet tona për implementimin e pakos së Ahtisaarit", tha Sejdiu.
Data 15 qershor është parë deri më tash në Prishtinë si fundi i tranzicionit, periudhë kjo që nënkuptonte kalimin e kompetencave nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës. Mirëpo, me vetë mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244 dhe mbetjen e UNMIK-ut në Kosovë, kjo fazë tranzicioni në fakt fillon pikërisht nga 15 qershori.
Presidenti Sejdiu e ka cilësuar këtë si një periudhë të lehtë tranzicioni, që, sipas tij, pritet të kalojë shumë shpejt. "Rikonfigurimin e UNMIK-ut, ne e quajmë si proces pozitiv. Konsiderojmë se kjo periudhë do të kapërcejë shumë shpejt dhe si të tillë e quajmë përkushtimin e institucioneve për të bashkëpunuar në këtë periudhë të tranzicionit dhe të nevojshëm për t'i marrë edhe institucionet e Kosovës përgjegjësitë e veta", theksoi Sejdiu.
Në letrën e tij drejtuar autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, thotë se ai synon ta rikonfigurojë misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për të lejuar Bashkimin Evropian që të marrë përgjegjësi në çështjet kryesore.