E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovohet në Bashkinë e Durrësit strategjia për fëmijët

Në Bashkinë e Durrësit është promovuar strategjia dhe plani i veprimit për fëmijët e qytetit të Durrësit, i pari dokument në nivel bashkie në vend si dhe inagurimi i zyrës për fëmijë, të cilët do të krijojnë bazën e të dhënave, të monitorojnë dhe raportojnë mbi të drejtat e fëmijëve. Në këtë promovim merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe përfaqësuesi i UNICEF-it, Detlef Palm. Sektori i Zhvillimit të Politikave në Departamentin e Koordinim-Zhvillimit, në mbështetje të strategjisë së zhvillimit ekonomik të Bashkisë dhe vizionit të Kryetarit të saj, kërkoi të bashkëpunojë me UNICEF, duke e parë si një partner dinjitoz për të zbatuar më mirë politikat për mbrojtjen dhe mbështetjen e të drejtave të fëmijëve. Falë mbështetjes financiare që dha UNICEF, është hartuar strategjia për fëmijët e Bashkisë Durrës. Hartimi i këtij dokumenti politikash për fëmijët, është kurorëzim i punës të vazhdueshme advokuese që ka bërë Aleanca për Fëmijët Rajoni Durrës, Këshilli i Shërbimeve Sociale, një rrjet i organizatave jofitimprurëse për të drejtat e fëmijëve. Kjo strategji për fëmijët synon në vetvete që të përcaktojë prioritetet e punës për zbatimin e të drejtave të fëmijëve në qytetin e Durrësit si dhe të bashkërendojë punën ndërmjet aktorëve të ndryshëm në nivel vendor. Strategjia është munduar që të gërshetojë politikat kombëtare me ato vendore ekzistuese në mënyrë që të bëhet pjesë integrale e institucioneve dhe aktorëve vendorë. Ndër sfidat kryesore të strategjisë janë që të përcaktojë prioritetet për të drejtat e fëmijëve në Bashkinë e Durrësit për periudhën 2008-2011, të koordinojë dhe përfshijë të gjithë aktorët vendorë për përmirësimin e situatës së të drejtave të fëmijëve si dhe të integrojë e përfshijë në politikat sektoriale vendore, prioritetet për të drejtat e fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›