E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet në aksin Kakavijë-Tepelenë, 3 viktima për 48 orë

Brenda 48 orëve, në aksin nacional Kakavijë-Tepelenë humbën jetën tre persona. Bilanci më tragjik i shënuar ndonjëherë gjatë dhjetë viteve të fundit, ka qenë i stimuluar nga shpejtësia dhe humbja e kontrollit të drejtuesve të automjeteve. Në orët e mesditës së të enjtes, në afërsi të serave të Mashkullorës në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë pikërisht në të njëjtin vend ku para dy ditëve humbi jetën në një aksident automobilistik ish lideri socialist lokal Resul Llogo, shënohet viktima e radhës. Automjeti i prodhimit rus i tipit Lada me targa TR 26 24 E, i cili drejtohej nga shtetasi Astrit Çullhaj, 42 vjeç nga Tirana, është përplasur me automjetin tip Opel me targa të huaja AN 794 MS, i cili drejtohej nga shtetasi Orges Selmëni i datëlindjes 28 vjeç, nga Këlcyra e Përmetit. Policia e Gjirokastrës konstatoi se kjo përplasje fatale në shpejtësi e sipër të të dy automjeteve, shkaktoi vdekjen e menjëhershme të pasagjerit Altin Lacaj, 24 vjeç nga Tirana, i cili udhëtonte me automjetin me targa të kryeqytetit. Automjeti tip Opel si pasojë e përplasjes së fortë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në pjesën e majtë të rrugës në një tokë bujqësore. Të dy drejtuesit e automjeteve janë transportuar për në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, për të marrë asistencën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i automjetit Lada, Astrit Çullhaj së bashku me viktimën udhëtonte nga Ksamili për në Tiranë, pasi punonin për llogari të një firmë që merret me ndërtimin e Ujësjellësit të Ksamilit. Grupi hetimor po heton për përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti ku paraprakisht prej dëshmive nga vendngjarja të personave që kanë parë të gjithë skenën, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit tip Opel, Orges Selmëni ka hyrë në parakalim të gabuar duke qenë shkaktari kryesor i këtij aksidenti me pasojë të rëndë. Policia e Gjirokastrës pohon se të dy drejtuesit e automjeteve fill pas asistencës mjekësore, do të shoqërohen në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme ligjore. Ndërkohë 12 orë para ndodhjes së këtij aksidenti, një tjetër viktimë është shënuar në një incident automobilistik në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Burimet policore kanë bërë të ditur për gazetën SOT se aksidenti tjetër është shënuar në orën 23:30 të së mërkurës duke u gdhirë e enjte në pjesën jugore të qytetit në afërsi të fshatit Lazarat. Një automjet i tipit Audi me targa FR 68 36 A, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Si pasojë e kësaj daljeje nga rruga, drejtuesi i automjetit ka gjetur vdekjen gjatë transportit për në Spitalin e Gjirokastrës. Viktima është çuar në morg dhe nuk është identifikuar akoma nga policia në mungesë të një dokumenti identifikimi. Ndërkaq punonjësit e Policisë Rrugore kanë deklaruar se automjeti me të cilin udhëtonte viktima, rezultonte pa dokumentacion të rregullt. Policia nga ana e vet po punon për identifikimin e viktimës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›