E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: “Të rrëzojmë tiraninë, që të hapen kutitë”

Autori i Lajmit: Redaksia
“Kjo është protesta më e madhe e bërë në emër të lirisë, kjo na ka nxjerrë në shesh për tu kthyer shqiptarëve rrugën e humbur dhe lirinë e mohuar”, - tha ai. Ngjela ka vijuar më tej se historianët na kanë treguar se dhe kombe shumë më të mëdha se ne janë shkatërurar, sepse qeveriseshin nga diktatorë. “Kjo është edhe historia jonë, të udhëhequr nga Sali Berisha, i cili nuk ka për ta sunduar dot kurrë popullin. Kjo është histori e 20 viteve me një njeri që kërkon ti skllavërojë, por keni qenë pikërisht ju që nuk ia keni lejuar këtë. Të gjitha këto duhet të kapërcehen, e neve na ndodhi se duhej të kapërceheshin më 28 qershor”, - tha ai. Kreu i PLD-së pohoi më tej se manipulimi i zgjedhjeve ndodhi vetëm për një qëllim, që të kthejë në dinasti familjen e tij në pushtet. Por ne, tha Ngjela, nuk do ta lejojmë këtë tirani. “Nuk ka gjë më të trishtuar se fakti që një kombi nuk i jepet liria. Kjo i ndodh, sepse nuk kemi qenë të bashkuar e nuk mund të fitonim mbi të keqen. Sokrati na ka thënë se është më e rrezikshme se vdekja, por ne jemi bashkë këtu për ti thënë ndal kësaj të keqeje. Ne e kemi mohuar fatin e demokracisë 20 vjet më përpara, por ka ardhur koha të mos sundohemi nga luftëra të tilla e të mbrojmë historinë tonë, fatin tonë. Sot fati ynë është kthyer drejt Perëndimit, por nuk na lë frika nga ky njeri antiperëndimi. Duhet të luftojnë për një shtet që të jetë streha e të gjithë shqiptarëve. Të kalojmë sot të gjithë këtë pengesë”, - tha ai. Ngjela shtoi se do të protestohet ashpër kundër kësaj barbarie qeverisëse që është ajo fantazma e fatit tonë që brodhi rrugëve, por është fakt historik që në këtë shesh me këta mijëra njerëz do ta marrim fatin tonë. “Nuk është koha as për brohoritje, as për shaka, as për qeshje, por ti dalim me gjoks në mbrojtje vendit tonë, se nuk kemi mundësi tjetër për të mbrojtur votën tonë”, - tha ai. Ish-deputeti i PD-së, pohoi se ka një ëndërr që shqiptarët të jenë të lirë, që Shqipëria të jetë një shtet evropian, si streha e sigurt e të gjithë shqiptarëve, e jam i bindur që e keni të gjithë. “Ja ku jemi të gjithë që të rrëzojmë të gjithë së bashku këtë tirani, për të hapur kutitë, që janë banka e popullit, ato i mban të mbyllura ligësia, tirania. Kush i mban të mbylluara kutitë përpara popullit, është një humbës i madh. Fitore, do të fitojmë!”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 21/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›