E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:Asnjë tapi legalizimi, para kompensimit të pronarit



Kryeministri Sali Berisha, i ftuar dje në emisionin “Opinion”, dha afate konkrete në lidhje me reformën e pronësisë. Berisha deklaroi se asnjë tapi legalizimi nuk do të jepet përpara kompensimit financiar të pronarit. “Asnjë tapi nuk do të jepet pa u kompensuar pronari. Ju do të jeni dëshmitarë. Ky është edhe një pohim ligjor”, tha Berisha. Kryeministri pohoi më tej se në vend ka pasur abuzime të shumta, që sipas tij, erdhën për shkak të ligjit 7501. Përpara gazetarëve, Berisha tha gjatë viteve të tranzicionit, “numri i falsifikimeve është më i madh se Mali i Dajtit”. Sipas tij, reformat e ndërmarra nga qeveria, ligji për verifikimin e titujve të pronësisë si dhe projekt i Bankës Botërore për regjistrimin e tokës, do të sjellin normalitet. Në lidhje me afatin përfundimtar të zgjidhjes së çështjes së pronësisë, Berisha se “brenda dy mandateve ne do të zgjidhim këtë çështje”. Në këtë ballafaqim me gazetarët dhe pyetjeve nga publikut, kryeministri foli edhe për luftën ndaj korrupsionit. Ai pranoi se korrupsioni është një problem shqetësues, por në sajë të reformave “të njëjtat institucione që vite më parë e nxirrnin në 20 vendet më problematike, sot e kanë nxjerrë në 10 vendet me reformat më të mëdha të tregut”. Kryeministri foli edhe për zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike. I pyetur në rast se do të mbështesë kandidaturën e Besnik Mustafajt, Berisha tha se: “Çdo anëtar është i lirë për të kandiduar”. Aktualiteti dhe politika e ditës ka qenë në vëmendje të përballjes së kryeministrit përpara gazetarëve. Berisha u pyet se cilën Parti Demokristiane do të përfshijë në koalicionin e tij. Ai tha se demokristianët duhet të zgjidhin problemin ligjor mes tyre. I pyetur se pse largoi nga qeveria ish ministrin Nard Ndoka, ndërkohë që dy zëvendësministrat e tjerë, Gurakuqi dhe Bushati janë ende në kabinet, kryeministri deklaroi se Nard Ndoka “nuk është larguar për qëllime politike. Ka shkelur marrëveshjen që kemi bërë”. Një tjetër çështje e diskutuar ishte edhe bashkëpunimi me opozitën dhe Kryetarin e PS-së Rama. Berisha u shpreh se nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë me Ramën. Më pas, kryeministri u shpreh se bashkëpunimi me Ramën është bërë edhe në sajë të interesave që ka pasur opozita, dhe se qeveria ka mbështetur me “160 milionë euro nga buxheti”. I pyetur në mënyrë hipotetike, se në rast se mundësia e vetme pas zgjedhjeve të vitit 2009, do ishte bashkëpunimi me Ramën për të qenë më pushtet, Berisha tha se: “Politika është arti i së mundshmes, të paktën ky është koncepti im. Por që të bëj koalicion me Ramën dhe me PS-së ...e përjashtoj tërësisht. Së pari vendi ka nevojë për opozitën dhe së dyti, Edi Rama ka një kontratë me Bashkinë e Tiranës”. Berisha u pyet edhe në lidhje me ndonjë bashkëpunim të mundshëm me Fatos Nanon në zgjedhjet e ardhshme, por Berisha u përgjigj duke pyetur: “Po ku është?!”. Gjatë emisionit direkt, Berisha u përgjigj se do të largohej nga politika në qoftë se do të humbte zgjedhjet e vitit 2009. Megjithatë ai tha: “Kjo pyetje është bërë shumë para kohe me duket mua. Është njësoj si të pyesësh studentët, çfarë do të bësh pas tridhjetë vjetësh”. Më tej ai shtoi se nuk do të shkruajë ndonjëherë libër kujtimesh, pasi sipas tij, “gënjeshtrat më të mëdha shkruhen në kujtime”. Në lidhje me procesin e integrimit të vendit në BE, Berisha tha se ishte optimist se vendi do të liberalizojë vizat si dhe me hyrjen në NATO, “shqiptarët do të kenë emrin më të madh që kanë pasur në histori që nga koha e Skënderbeut”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›