E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngricat, një makinë del nga rruga, 4 të plagosur

Shkodër-Ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës në zonat malore kanë sjellë dhe problemet e para për banorët e këtyre zonave të qarkut të Shkodrës. Nga Ndërmarrja e Rrugëve Rurale mësohet se nga 302 km që ka në mirëmbajtje kjo ndërmarrje nuk ka asnjë aks të bllokuar nga bora, ndërsa në segmente të caktuara në Vermosh e Dukagjin janë shfaqur gërryerje të rrugës nga reshjet e shiut. Në rrethin e Pukës, trashësia e dëborës ka shkuar 10 cm dhe mësohet se akoma nuk është hedhur skorje apo kripë në rrugët e këtij rrethi. Si pasojë e dëborës dhe ngricës, një automjet me targa SH 3108 E, ka dalë nga rruga dhe katër persona janë plagosur. Pas ndihmës së marrë në spitalin e Pukës, ata janë jashtë rrezikut për jetën. Nga Ndërmarrja e Rrugëve Nacionale është deklaruar se janë kontrolluar të gjithë kontraktuesit për mirëmbajtjen e akseve rrugore që rrezikojnë të bllokohen nga dëbora në këtë stinë të vitit dhe ata kanë marrë masa për kripë, skorje e granil, si dhe mjetet përkatëse. Sipas burimeve nga zonat ku dëbora e akulli tashmë janë prezent, deri tani nuk ka ndërhyrje për të pasur qarkullim normal në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›