Ngrihet në 150 mijë numri i të vdekurve në Haiti
Qeveria e Haitit ka theksuar se besohet se 150 mijë kufoma janë zbuluar deri në ditën e sotme nën gërmadhat e shtëpive të rrënuara, pas tërmetit që goditi këtë vend, me ç’rast ekziston frika se rreth 200 mijë të vdekur tjerë gjenden ende të pazbuluar nën gërmadha.
Donatorët ndërkombëtarë është paraparë të zhvillojnë një takim urgjent në Kanada, për të hartuar një plan afatgjatë për rindërtimin e Haitit.
OKB-ja ka apeluar për forca shtesë, për të ndihmuar përpjekjet e policisë për të ndalur plaçkitjet në kryeqytetin Port Au Prince, ku me mijëra njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë, pa ushqim dhe të lënduar, përkundër intervenimit masiv ushtarak të SHBA-së dhe të programit për ndihma, të kryesuar nga OKB-ja.
“Komisioni për Shëndetësi më ka njoftuar se pret që numri i të vdekurve të arrijë në 150 mijë”, deklaroi Ministrja për Komunikim, Marie Lassegue.
“Është vështirë të vlerësohet se sa njerëz kanë vdekur, por kryeministri ka folur për 200 mijë të vdekur”, shtoi ajo. Më herët, zyrtarët për shëndetësi në Haiti kanë theksuar se numri i të vdekurve ka arritur në 112 mijë.