E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngritja e frikshme e të pasurve të rinj

Autori i Lajmit: A.D

Shtresat e mesme kanë qenë gjithnjë mburoja e shoqërisë. Aristoteli besonte se ata ishin arma sekrete e demokracisë, mbrojtësit e të drejtave sociale, moderatorët e ekstremizmit politik... Ata kanë qenë gjithashtu motorët e rritjes ekonomike, duke parapërgatitur shumë kohë më parë skenën për zgjerimin e kapitalizmit dhe tregtisë botërore. Tani, me një shtresë të mesme perëndimore, që është zhytur në borxhe, shumë ekonomistë e shikojnë tregun e ri të zhvillimit të kësaj shtrese të shoqërisë si një mbështetje potenciale për krijimin e sigurisë dhe zhvillimit të ardhshëm global. Ndërsa vende si Kina, Brazili, Rusia, Turqia, India, Indonezia dhe vende të tjera në zhvillim bëhen dita-ditës më të pasura, është menduar gjithnjë se ato do të shndërroheshin më shumë në periferi të tregjeve liberale dhe demokratike të Uashingtonit dhe Londrës, jo vetëm në llojin perëndimor të konsumimit, por gjithashtu dhe në lirinë politike. Me kalimin e kohës, ato do të bëhen si Perëndimi. Është e jashtëzakonshme po të shohësh se si ndikon shtresa e mesme braziliane tek shteti për të kontrolluar industrinë e naftës nga firmat lakmitare të huaja apo të shohësh popullaritetin e vazhdueshëm të autokratit Vladimir Putin mes rusëve të shtresës së mesme që tashmë përbëjnë 78 për qind të popullsisë totale. Pastaj kemi ndikimin e kësaj shtrese në mbështetje të ngritjes së islamit konservator në Indonezi, i cili ka bërë presion për një ligj kundër pornografisë dhe shumë shpejt do të krijojë qytetet “hallall” ku i gjithë ushqimi do të shërbehet sipas rregullave të islamit. Këto shenja të reja të vlerave të shtresës së mesme ndërthuren në shumë vende, me format e veçanta antiperëndimore të islamizmit. Rritja e nacionalizmit te rinia e pasur kineze ka krijuar një industri për libra të famshëm si “Ëndrra kineze”, i cili nxit Kinën që të nisë përgatitjet ushtarake në prag të konfliktit të ardhshëm me Shtetet e Bashkuara. E vërteta është se “ata” nuk po bëhen si “ne” (perëndimorët). Shtresa e mesme globale po rritet me hapa më të shpejtë seç pritej në numër dhe pasuri. Vitin e shkuar, 70 milionë njerëz iu bashkuan shtresës së mesme në zhvillim në botë me të ardhura mes $6,000 dhe $30,000. Ata janë bërë “historia e dekadës”, - thotë kryeekonomisti i “Goldman Sachs”, Jim ONeill, dhe do ti kalojnë shokët e tyre në botë për sa u përket shpenzimeve brenda dy dekadave. Drejtori i “Morgan Stanley” për Azinë, Stephen Roach, beson se në 5 deri në 10 vjet, shtresa e mesme në zhvillim vetëm në Azi do të arrijë nivelin e shpenzimeve të konsumatorëve amerikanë. Që tani, tregjet në zhvillim po nxisin thithjen e shumë firmave perëndimore. Kinezët blenë më shumë makina se amerikanët vitin e shkuar dhe India ka po aq përdorues interneti sa SHBA-ja. Deri në vitin 2030 nëntë nga çdo 10 telefona celularë do të jetë në duart e njerëzve në botën që zhvillohet me Indinë dhe Kinën në krye. Parashikimi i “Coca-Cola”-s së fundmi për ti çuar të ardhurat në 200 milionë dollarë dekadën e ardhshme, vjen falë futjes së 1 miliard njerëzve të tjerë në shtresën e mesme deri në vitin 2020. Konsumatorët e rinj të botës në zhvillim kanë lëshuar një energji të jashtëzakonshme, por aftësia e tyre për tu shndërruar në një forcë më të mirë qeverisëse, të sigurojnë liri më të mëdha dhe të kenë më pak korrupsion, nuk është e sigurt. “Ata” kanë për të bërë një rrugë shumë të gjatë për tu bërë si “ne”.
Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›