E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zguro "manipulon" filmat shqiptarë

Një ekspozitë personale që do të çelet nesër në galerinë "Valenzuele & Klenner", me qendër në Bogota, e prezanton artistin shqiptar Fani Zguro me publikun kolumbian. "Goca, Viktima, Spiunë, Policë, Gestapo, Ushtarë, Burra", është një ekspozitë e ndërtuar mbi manipulimin që Zguro u ka bërë filmave të vjetër shqiptarë. Përmes ndërhyrjeve në to, artisti ka realizuar video që paraqesin idenë e tij artistike. "Fije që Priten" është manipulimi i filmit shqiptar me të njëjtin titull nga regjisori Muharrem Fejzo, në përpjekje për të krijuar trailer-in e filmit. Si kolonë zanore për këtë video është përdorur një nga hitet e Nick Cave dhe Bad Seeds, "The Curse of Millhaven", marrë nga albumi Murder Ballads. Ky projekt kërkon të ironizojë fenomenin e krimit dhe revolucionit, i cili e ka zanafillën në periudhën e hershme, kur jezuitët e refuzuar konspironin kundër atyre në pushtet. Motoja "atje ku mbaron puna jote fillon puna ime" duket se është në kontekst me qëllimin e kësaj videoje. Videoja tjetër titullohet "Kalimtarë" dhe konsiston në manipulimin e filmit shqiptar "Nusja dhe shtetrrethimi" të regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Kjo video zgjat 20 sekonda dhe përsëritet në loop, duke krijuar edhe performancën në video, në të cilën vihen re pesë ushtarë gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, të cilët janë duke ecur në një rrugë të zbrazët, shoqëruar nga zhurma e lehtë e shiut. Ky është dhe fillimi i filmit shqiptar, i cili trajton ngjarje të periudhës së okupimit të Shqipërisë nga nazistët. Por ndryshe nga sa ndodh në film, artisti i vë këta ushtarë në një marshim që s‘ka asnjëherë fund. Ndërhyrja e fundit e artistit është bërë mbi filmin e regjisorit amerikan Oliver Stone, "You turn" ("Ti kthehesh"). Në këtë përballje midis artistit dhe personazhit të vetëm në video kemi të bëjmë me një intervistë, e cila ngjason më tepër me shkëmbim batutash. Intervista merr një karakter cinik, e cila shndërrohet në një test negativ inteligjence. "Ti Kthehesh" fillon si një regjistrim turistik, për t‘u shndërruar në një situatë, ku e kaluara dhe e tashmja e personazhit të videos marrin një karakter grotesk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›