E Diel, 1 Nëntor 2026

Niazi Jaho: Asnjë ligj nuk ndalon transparencën e votës

Nuk e di që Kushtetuta, ndonjë ligj apo vendim i Gjykatës Kushtetuese mbas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të ndalojë njohjen me materialet zgjedhore, përfshi këtu edhe fletët e votimit. Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 është shpallur nga KQZ-ja, pasi përfunduan procedurat e ankimimit edhe në Kolegjin Zgjedhor të gjykatës së apelit, Tiranë. Si rrjedhim derisa vendimet e këtyre organeve janë në fuqi, ky rezultat ligjërisht nuk mund të ndryshojë.

Rezultati i shpallur nuk mund të ndryshojë edhe sikur Kuvendi të ngrejë një komision hetimor ku veç të tjerash në objektin e hetimit të parashikohet njohja pjesërisht me materialet e zgjedhjeve dhe fletët e votimit. Ky rezultat nuk mund të ndryshojë gjithashtu edhe sikur në përputhje me nenin 23 të Kushtetutës (e drejta e informimit) dhe ligjin nr.8603 datë 30.6.1999 "për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare" të kërkohej informim lidhur me dokumentacionin zgjedhor. Në nenin 3 të këtij ligji thuhet se "çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion për dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet". Prokuroria mund të fillojë çështjen penale nëse do të dispononte të dhëna se gjatë procesit zgjedhor është kryer apo jo vepër penale. Vendimet e formës së prerë të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor mund të cenoheshin nëse ato bëheshin objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese në bazë të nenit 131 germa "e" e Kushtetutës ku thuhet se Gjykata Kushtetuese vendos për çështje që lidhen me zgjidhshmërinë edhe papajtueshmërinë e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe verifikimin e zgjedhjes së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›