E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çlirim Gjata: Arsyet pse nuk mund të hapen kutitë

Unë nuk dua të diskutoj apo komentoj asnjë deklaratë të të tjerëve, por jap mendimin tim për çështjen e hapjes së kutive nga Parlamenti. Shumë shkurt do ta trajtoja në këtë formë. Pse nuk mundet Parlamenti t‘i hapë kutitë. Sepse nuk është në juridiksionin e tij. E thënë ndryshe, më falni për shprehjen, më të trashë të mundshme nëse Parlamenti do t‘i bënte të gjitha atëherë nuk do kishim nevojë për institucione të tjera. Prandaj institucionet janë të ndara dhe të balancuara sipas Kushtetutës dhe secili institucion ka kompetencat e veta. Parlamenti mund të ngrejë një komision hetimor dhe t‘i thotë KQZ-së pse s‘ke bërë zgjedhje dhe pse s‘ke realizuar ligjin për zgjedhjet. Por nuk mund të ngrihen probleme teknike të komisionit që i takojnë Kodit Zgjedhor. Kodin Zgjedhor e zbaton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo Kolegji Zgjedhor dhe asnjë gjykatë tjetër s‘ka të drejtë. Parlamenti s‘e ka në juridiksionin dhe në kompetencat e veta dhe nëse Parlamenti në rastin e komisioneve hetimore të tjera ka ndërhyrë në këtë juridiksion, ai mund të jetë një gabim dhe hajde ta diskutojmë. Mund të marrim një rast tjetër, ka bërë mirë apo keq, por fakti që ka bërë një gabim më përpara nuk do të thotë duhet ta bëjë një gabim tjetër. Momenti tjetër, ai i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore është i pafalshëm, Gjykatë Kushtetuese apo gjykatë rrethi. Po qe vendim gjykate, është i padiskutueshëm ekzekutimi i tij. Edhe nëse gjykata vendos, le të themi në formë proverbiale. Unë do të citoj vetëm një moment, nenin 142 të Kushtetutës, pika 3 ku thuhet se organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore. Kushtetuta, taksative e painterpretueshme, e pakundërshtueshme. Ndërsa në nenin 132 të Kushtetutës, pika 1 thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve që shqyrton. Nëse ka vendime që nuk ekzekutohen kjo është një gabim, por s‘mund ta kompensojmë me një vendim tjetër qoftë edhe për hapjen e kutive. Kështu që i kthehem mendimit se secili institucion duhet të zbatojë juridiksionin e vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›