E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehi, LZHK Të hapen kutitë, Topi negociator

Dashamir Shehi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike, ka bërë thirrje për nisjen e një tryeze politike për zgjidhjen e krizës. Duke folur për gazetën "Shqip", Shehi u shpreh se "formula më adekuate për zgjidhjen e krizës është të hapen kutitë e votimit që të certifikohen zgjedhjet dhe më në fund shqiptarët të kenë mundësi që të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas kreut të LZHK-së, roli i negociatorit i takon institucionalisht dhe politikisht Presidentit të Republikës, por edhe faktorit ndërkombëtar. Shehi ka një formulë interesante për zgjidhjen e krizës në mënyrë që të dyja palët të jenë të kënaqura: "Të hapen kutitë e votimit dhe çfarë do të dalë prej tyre nuk duhet të ketë ndryshime apo zgjedhje të reja, por thjesht një reformë e thellë që më në fund te shqiptarët të krijohet institucioni i besimit në lidhje me zgjedhjet. Shehi deklaroi ndër të tjera se nuk ka rëndësi ana formale e nisjes së negocimit, por duhet që sa më shpejt të nisë procesi i negociatave mes palëve për të shmangur një konflikt të rëndë social, apo edhe rritjen e tensionit politik. Por kreu i LZHK-së e sheh edhe si çështje parimore, ku për të parën herë shqiptarët duhet të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›