E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nigela Ruka, përtej Luçias

21/04/2009  Nuk i pëlqen ta identifikojnë si vajza e Petrit Rukës (detaj me të cilin pa dashje po nisim tia vizatojmë edhe portretin), porse si një artiste që zgjidhjet dhe zgjedhjet i ka bërë vetë në jetë.

Pjesë e “të rinjve” përballë një terreni të vështirë artistik, megjithatë Nigela Ruka duket se ka nisur një udhë të mbarë. Këtë pohon ndërsa e cilëson si shans lojën përkrah aktorëve të njohur të skenës sonë, ku mes të tjerëve veçon përvojën e fundit me Yllka Mujon te “Filumena Marturano”. “Më pëlqen që kam luajtur në shfaqje me Yllka Mujon, një aktore që e çmoj shumë. Kur punon me aktorë të mirë, ke çfarë të marrësh”, - pohon Ruka, e cila në këtë shfaqje u prezantua me një rol karakteri: atë të Luçias.

“Mbi të gjitha falënderoj regjisorin Albert Minga, që më ka dhënë këtë mundësi. Roli im është pikant, nuk hyn në kuadrin e roleve të gjera dhe të zhvilluara, por është një karakter, një vajzë e thjeshtë, e cila më ka pëlqyer që në fillim kur e kam lexuar”, - nënvizon Nigela, ndërsa shton se e ka gjetur veten mirë me gjuhën e personazhit dhe komode edhe për faktin se autori i pjesës, Eduardo De Filipo, është një penë e arrirë e dramaturgjisë.

Edhe pse ajo nuk mund të identifikohet tërësisht me personazhin, një shërbyese e kudogjendur që nuk del shumë shpesh në skenë dhe qëndron gjithë kohës në shtëpi, Nigela gjen lehtësisht të përbashkëta me Luçian.“Një vajzë e shkathët dhe e çlirët”, - e cilëson, ndërsa thekson se nuk mund të vërejë shumë më tepër. “Luçia është tashmë pjesë e shtëpisë dhe është çapkëne, një vajzë e hedhur. Nuk mendoj se mund ta gjej veten qind për qind në atë rol, por ishte i thjeshtë për mua dhe i arritshëm, meqë ishte dhe shumë pranë moshës sime.” Të flasë për veten është e vetëdijshme se nuk është pika e saj e fortë, megjithatë më shumë sesa fjalët shpesh rrëfejnë gjërat e vogla të së përditshmes.

Mes së zakonshmes...

Sa herë është e angazhuar në ndonjë shfaqje, dita rrjedh më së shumti mes provave. Me shumë pak kohë për veten dhe thuajse pa pushuar aspak, këto janë, megjithatë, ditë “fatlume”, kur vajza e re, e cila ka mbaruar studimet në 2006-n për regjisurë, është e angazhuar me atë që do më shumë dhe e cilëson “pasion” të sajin.

Në ditë të tjera gjithçka rrjedh qetë, si në jetën e çdo vajze të zakonshme.

Të këndojë, të shijojë piktura (i pëlqen muzika dhe pikturimi, megjithëse vetë nuk pikturon) apo të shkruajë diçka vetë janë gjithashtu pjesë e pasioneve të saj. Duke ndarë orët mes leximit, shikimit të dokumentarëve apo orëve të gjata të kaluara në internet, një pjesë e mirë e kohës u duhet rezervuar edhe miqve. Miq të cilët pohon se janë të shumtë dhe janë një pjesë shumë e rëndësishme e saj. “Kam miq të mirë e jam shumë e kënaqur për këtë. Kam miq që më kuptojnë e gjithmonë më gjenden afër. Miq që më kushtohen më shumë sesa u kushtohem, sepse ndodh shpesh që jam e zënë.”

Në rrugën e ndryshimit...

Ndodh të konsultohet edhe me të atin, si një njeri që ka lidhje me botën e filmit dhe të teatrit, por jo deri aty sa të ndikojë thellësisht tek ajo. Madje, vëren se babai nuk ka ndikuar fare në zgjedhjen që ajo ka bërë për të studiuar regjisurë e për të qenë aktore. “Babai im është poet në radhë të parë, natyrisht edhe regjisor. Sigurisht, unë jam rritur në ambient me artistë dhe përkrah tyre mund të them se jam brumosur, jam rritur me frymën e artit. Për mua arti është i pandashëm, është pjesë imja, prandaj kam bërë këtë zgjedhje. Me babin flasim shpesh. Duke qenë se ai i njeh autorët dhe është brenda këtij profesioni, diskutojmë. Por jo deri aty sa unë ta quaj një pjesë të rëndësishme të profesionit tim, që të infiltrohet, si të thuash, shumë thellë brenda punës sime. Në përgjithësi zgjedhjet i kam bërë vetë. Madje, nuk më pëlqen të quhem “Nigela e filanit” apo gjëra të tilla. Jam pak sedërlie në këtë aspekt. Kam qejf që të kem autencitetin tim”, - shprehet ndërkohë që nuk mohon se pavarësisht të gjithave terreni për aktorët dhe artistët e rinj është i vështirë. “E shoh të vështirë, por mendoj se dalëngadalë do të ndryshojnë gjërat. Po fillon një erë e re, po u lihet hapësirë aktorëve të rinj. Shumë hapësira nuk ekzistojnë. Ndërkohë ne kemi vetëm një teatër kombëtar, prurja e regjisorëve dhe aktorëve që mbarojnë çdo vit Akademinë e Arteve është shumë më e madhe.”

E angazhuar deri tani në disa shfaqje, i pëlqen që më së shumti të veshë lëkurën e personazheve të autorëve të njohur klasikë (në pjesët e tyre ka interpretuar gjatë periudhës së studimeve në Akademinë e Arteve, por edhe në Teatrin Kombëtar me “Trojanet” e Euripidit).

“Të gjitha rolet e femrave të autorëve klasikë janë shumë të bukura. Heroinat e këtyre personazheve janë ëndrra për çdo aktore, besoj. Dëshira ime është të kem role më të gjera, më të zhvilluara. Role më të mëdha, më të pasura dhe më të zhvilluara skenikisht. Por më duket se është pak vështirë të synosh shumë që në fillim. Kam dy vjet që kam mbaruar shkollën dhe të paktën kam luajtur, ndërkohë që shumë aktorë të brezit tim e kanë ende të vështirë. Rolet, puna që kam bërë më kënaqin, më mbushin shumë, por natyrisht arti te ne është i varfër”, - vëren Ruka, ndërsa përsërit se pavarësisht të gjithave është e bindur se, sikur të ishte përballë mundësisë për të zgjedhur, sërish do të bënte të njëjtën zgjedhje: aktrimin. “Kur merr duartrokitjet e publikut, harron gjithçka. Bota materiale harrohet para një bote aq të përsosur dhe të magjishme.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›