E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Ministrisë, moshat që kryejnë më shumë aborte janë nga 15 deri në 20 vjeç

Klinikat private kryejnë numrin më të lartë të aborteve ilegale. MSH-ja në vështirësi për monitorimin e aktivitetit të klinikave private

Emanuela Sako

Vendi ynë renditet ndër vendet që kanë një numër të lartë të aborteve për numër popullsie. Raporti vjetor cilëson se Ministria e Shëndetësisë e ka të pamundur të monitorojë të gjitha abortet ilegale që kryhen nga klinikat private. Me gjithë përpjekjet, autoritetet shëndetësore nuk kanë vendosur në kontroll të plotë aktivitetin e klinikave private që shënojnë dhe numrin më të lartë të kryerjes së aborteve në vend. Ndërsa maternitetet shtetërore janë të detyruara që të raportojnë të dhënat statistikore për kryerjen e aborteve pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Vitin e kaluar në vendin tonë numërohen rreth 5500 aborte, të cilat i përkasin vetëm materniteteve. Në këtë shifër nuk janë përfshirë një pjesë maternitetet e rretheve, por vetëm Tirana dhe 4 maternitete të tjera. Ndërkohë po specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë pranojnë se shifra e aborteve në të gjithë vendin është shumë herë më e lartë dhe nga viti në vit po rritet frikshëm.
Klinikat
Ndërkohë që problematik mbetet aktiviteti i klinikave private, të cilat marrin përsipër kryerjen pjesës më të madhe të aborteve. Ajo çka i bën gratë që të drejtohen në klinikat private është se kryejnë punë në më pak kohë dhe ka më pak procedura në krahasim me maternitetet. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë ka ngarkuar ISHP-në që të merret me monitorimin e aktivitetit të klinikave private dhe njëkohësisht do të detyrojë këto të fundit që të raportojnë për të gjitha abortet e kryera pranë MSH-së, nëpërmjet statistikave të sakta.
Moshat
Moshat dhe arsyet që çojnë në kryerjen e abortit janë të shumta dhe varen nga shtresat sociale që u përkasin këto vajza ose gra. Vendin e parë për kryerjen e aborteve e zënë moshat 15 deri në 25 vjeç. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, duke përfshirë shtatzënitë e padëshiruara në moshë të vogël, ndërprerja e shtatzënisë për arsye sociale (si problemet ekonomike), ndërprerja e shtatzënisë për probleme shëndetësore. Por për të ndërprerë shtatzëninë, duhet që të gjitha femrat t’i nënshtrohen disa rregullave ligjore. Po kështu edhe mjekët që do të marrin përsipër ndërhyrje. Sipas ligjit në fuqi, ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë bëhet vetëm nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog në institucione shëndetësore shtetërore e private që plotësojnë kushtet. Mjeku të cilit i kërkohet ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë, që në vizitën e pare duhet të informojë gruan për rreziqet mjekësore që sjell ndërprerja e shtatzënisë për shtatzënitë e ardhshme, si dhe problemet biologjike të ndërhyrjes mjekësore. Në rast se gruaja, pas marrjes së informacionit të përmendur në përsërit kërkesën e saj për ndërprerjen e shtatzënisë, mjeku kërkon konfirmimin me shkrim të kërkesës. Ky konfirmim kërkohet pasi të kenë kaluar të paktën 7 ditë nga kërkesa e parë. Kur është e mundur, në këshillimin dhe marrjen e vendimit për ndërprerjen e shtatzënisë, merr pjesë edhe bashkëshorti ose prindi. Në rast se afati prej 7 ditësh bën që të tejkalohen afatet e përcaktuara në këtë ligj, mjeku mund të vendosë që ky afat të jetë të paktën 2 ditë. Institucioni shtetëror apo privat ku pranohet gruaja, duhet të përfshijë në kartelën e saj kërkesën dhe vërtetimin për respektimin e procedurave.

Rastet e ndërprerjes së shtatzënisë për të miturat

Në rast shtatzënie jashtë martese në vajza të mitura deri 16 vjeç, përveç kërkesës së saj, për ndërprerjen e shtatzënisë kërkohet miratimi i personit që ushtron autoritetin prindëror ose e kujdestarit ligjor të saj. Kërkesa e vetë vajzës duhet të bëhet pa praninë e personave të përmendur në paragrafin e mësipërm.
Të martuarat në moshë të mitur u nënshtrohen dispozitave të nenit 7 të këtij ligji. Ndërsa ndërprerja e shtatzënisë për arsye mjekësore mund të bëhet deri në javën e 22 të shtatzënisë, në rast se një komision i përbërë nga 3 mjekë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se vazhdimi i shtatzënisë dhe/ose lindja e fëmijës rrezikon jetën ose shëndetin e gruas. Kur komisioni gjykon se fetusi ka keqformime të papajtueshme me jetën, apo sëmundje invaliduese me trajtim të pasigurt, vendos për ndërprerjen e shtatzënisë në çdo kohë. Në rastet kur gruaja vlerëson se shtatzënia i krijon probleme psikosociale, ndërprerja e vullnetshme mund të kryhet brenda javës së 12 të shtatzënisë. Ndërprerja e shtatzënisë për arsye sociale bëhet brenda javës së 22-të, në rast se një komision i përbërë nga 3 specialistë, mjekë, punonjës socialë, juristë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se shtatzënia është rezultat i përdhunimit ose një krimi tjetër seksual, si dhe kur vërtetohen arsye të tjera sociale.

Kontrollet që ushtrohen mbi veprimtarinë e aborteve

Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhëresa që detyrojnë çdo klinikë private apo shtetërore të raportojnë abortet e kryera. Në këtë mënyrë, ministria do të jetë e informuar për të gjitha abortet e kryera dhe për të verifikuar shkeljet, pasi çdo pacient do të ketë kartelën personale. Aborti është legalizuar në vitin 1995, për të parandaluar komplikacionet fatale që lidheshin me kryerjen e abortit. Ligji mbi ndërprerjen e shtatzënisë, në 1995-n, lejon abortin me kërkesë të gruas, ose për shkak të problemeve mendore apo sociale, deri në 12 javë pas ditës së konceptimit. Aborti duhet kryer nga një mjek specialist, si në institucionet shëndetësore publike, ashtu edhe në ato private. Ndërprerjet e shtatzënisë për të shpëtuar jetën e nënës apo për arsye shëndetësore, si dhe kur ka dëmtime të fetusit, mund të kryhen në çdo kohë. Por duhet të jetë e aprovuar nga një komision prej tre mjekësh.

Vdekshmëria foshnjore dhe amtare, e lartë në raport me BE-në

Vdekshmëria foshnjore dhe amtare në vend, mbetet ende larg shifrave të vendeve europiane. Autoritetet shëndetësore shpeshherë kanë vënë në dukje se vdekshmëria foshnjore mbetet një nga problemet kryesore të shëndetësisë në vendin tonë. Vihet re një tendencë e zvogëlimit të vdekshmërisë foshnjore, ku vdekjet e fëmijëve 0-1 vjeç variojnë nga 41.5 vdekje për 1 mijë lindje gjallë në 1990-n, në 13 vdekje për 1 mijë lindje gjallë në
2007-n. Megjithatë, mbetet larg shifrave të vendeve të Bashkimit Europian. Në rrethet e zonave verilindore, si Dibër, Malësi e Madhe, Mirditë etj, kjo vdekshmëri është dy herë më e lartë. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se vdekshmëri të lartë foshnjore kanë edhe disa rrethe të mëdha të vendit si Tirana dhe Elbasani. Ndërkohë që vdekja e nënës është zvogëluar dukshëm gjatë këtyre viteve të fundit. Megjithatë, shifra prej 16.7 për 100 mijë lindje të gjalla mbetet e lartë krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Në bazë të statistikave të kryera nga ky institucion, rreth 93 % e lindjeve ndodhin në institucionet shëndetësore, ndërsa 7% e lindjeve janë në shtëpi, ku mendohet se të tilla lindje krijojnë më tepër komplikacione dhe vështirësi për nënën dhe foshnjën.

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›