Nikoliç: Shtërpca, shembull i bashkëjetesës shumetnike
Nikoliç ishte i kandiduar nga Partia Liberale e Pavarur (SLS) e komunitetit serb, i cili javën e kaluar largoi nga zyrat e komunës së Shtërpces strukturat paralele.
Kryeministri i qeverisë, Hashim Thaçi e vuri theksin gjatë një vizite të zhvilluar dje në mbështetje për komunën në jug të vendit e banuar nga serbë e shqiptarë.
"Jemi këtu për të rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme për projektet që janë në të mirë të gjithë qytetarëve të Shtërpcës", theksoi ai, duke e vlerësuar këtë komunë si një shembull të mirë të punës së përbashkët, të jetës demokratike dhe organizmit të zgjedhjeve të lira.
"Kryeministri na ka dhënë mbështetje si përfaqësues legjitimë të Komunës së Shtërpcës, dhe siç dihet nga të gjithë komuna jonë është një shembull i bashkëjetesës shumetnike në Kosovë, ku shqiptarët dhe serbët jetojnë së bashku", deklaroi Nikoliç.
"Për të gjitha projektet që kemi në plan për këtë periudhë, kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës", theksoi ai.
Për herë të parë pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar në Kosovë, u krijua struktura e Kuvendit Komunal me 19 këshilltarë.
Pas këtyre zgjedhjeve, në Shtërpcë u arrit një marrëveshje për bashkëqeverisje mes degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe partisë serbe SLS, e cila fitoi 8 nga 9 vende që ka gjithsej komuniteti serb. Edhe kryetari i Komunës, Nikoliç, u zgjodh nga kjo parti pas fitores në balotazhin e 13 dhjetorit kundrejt kandidatit të PDK-së, Beqir Fejzullahu.
Kryetari i komunës, Nikoliç, u zotua se do të punojë në të mirë të të gjithë qytetarëve. Ai u shpreh se një epokë e re po vjen për komunën e Shtërpcës, ku askush nuk do të jetë i diskriminuar, por i barabartë.