E Diel, 1 Nëntor 2026

Nipi i ministrit Malaj, del i papërgjegjshëm

28/01/2005  

Mjekët kanë bërë ekspertizën dy muaj pas ngjarjes për të cilën akuzohet

TIRANË – Saimir Muhameti, nipi i ministrit Arben Malaj, gjatë kohës së kryerjes së krimit në muajt e fundit të vitit 2002, ka qenë nën efektin e pijes alkoolike. Për ta shpëtuar nga vepra penale dhe dënimi që mund të marrë, avokati së bashku me familjarët kërkojnë që të nxjerrin të papërgjegjshëm të pandehurin. Për këtë arsye, ata kanë bërë disa akte ekspertimi dhe kanë kërkuar ndihmën e mjekëve ligjorë.

Ekspertët

Sasia e pijes së marrë, e cila nuk është përcaktuar se në çfarë përqindje ka qenë në gjak, ka ndikuar në kryerjen e veprës penale dhe, kjo gjë shpjegohet nga mjekësia ligjore. Ndaj të pandehurit janë kryer tre akte ekspertimi psikiatriko–ligjore. Në dy aktet, i pandehuri ka dalë i papërgjegjëshëm para ligjit për veprën e kryer. Ndërsa në një akt të kryer në fund të dhjetorit 2003, i pandehuri nuk ka rezultuar i papërgjegjshëm. Për të nxjerrë papërgjegjshmërinë e klientit të tij, avokati Vladimir Meçe, solli dje para gjykatës eksperten mjeko-ligjore, Ermira Kurti. Ekspertja tha dje se ka kryer aktin e ekspertimit, vetëm duke u bazuar në dosjen penale të Prokurorisë, të dhënave që ndodheshin në të. Nga ana tjetër, mjekja u shpreh se e kanë ekzaminuar të pandehurin dy muaj pas kryerjes së veprës penale. Sipas saj, në rast se një person merr një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike, është më i predispozuar për të kryer veprime të pakontrollueshme. Për këtë rast, mjekja tha se pija e marrë nga i pandehuri ka vepruar në sistemin nervor dhe si pasojë i ka shkaktuar çrregullime.

Prokuroria

Por nga ana e organit të Prokurorisë u pretendua se ekspertiza është kryer pa marrë kampionet nga reparti i toksikologjisë, që përcaktojnë sasinë e alkoolit në gjak. Por ekspertja u shpreh se ka vepruar në bazë të dosjes, duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë. I pandehuri, sipas akuzës, ka kryer veprën penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim me të pandehurin tjetër, që gjykohet në mungesë, Vilson Jahja. Në seancën e djeshme u administruan edhe provat shkresore të Prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›