E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat,MB:Sportelet e hapura edhe në fundjavë

Ministria e Brendshme deklaroi sot duke filluar nga dita e sotme zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike do të shërbejnë për qytetarët nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes. Këto zyra do të jenë të hapura në të gjitha bashkitë dhe komunat e mëdha, me të njëjtin orar, edhe ditën e shtunë dhe të diel. Shërbimi për qytetarët do të ofrohet edhe në datën 31 Dhjetor nga ora 08:00 deri në orën 15:00. Zyrat nuk do të jenë të hapura në datën 25 Dhjetor, që është festa e Krishtlindjeve. Ky shtim i orarit të punës të zyrave të aplikimit për pasaporta biometrike synon t'u vijë në ndihmë në mënyrë të veçantë qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit dhe ndodhen në Shqipëri për festat e fundvitit.
Në të njëjtat orare do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike pranë drejtorive dhe komisariateve të policisë.
Marrëveshja për këtë shtim orari u arrit pas negociatave të Ministrisë së Brendshme me kompaninë konçesionare "Aleat".
Ministria e Brendshme kërkon angazhimin maksimal në shërbimin ndaj qytetarëve të të gjithë punonjësve të zyrave të gjendjes civile dhe zyrave të kompanisë "Aleat".
Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të gjithë kohën e shërbimit të zyrave përkatëse për të aplikuar dhe për t'u pajisur me pasaporta biometrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›