E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama thirrje Ina Ramës: Hetoni shpifjet e Berishës

TIRANE- Kreu socialist, njëherazi kryetari i Bashkisë më të madhe në vend Edi Rama i bën thirrje kryeprokurores Ina Rama për fillimin sa më të shpejtë të procedurave hetimore ndaj atyre që Rama i quan shpifje monstruoze të kryeministrit Berisha në drejtim të tij. “I rikërkoj publikisht Prokurores së përgjithshme që hetimi për këtë shpifje dhe për të gjitha shpifjet e kallëzuara edhe publikisht të mos zvarriten por të hetohet pa humbur kohë në radhë të parë për të mirën e publikut në këto kohë të vështira për vendin” theksoi Rama ndërsa nënvizoi se publikimi në media i fakteve për shitjen e truallit tek ish parku Rinia vërtetuan sipas tij shpifjet e kryeministrit Berisha. Rama kujtoi se vendimi për shitjen e truallit tek Taivani është marrë nga Këshilli Bashkiak me votat e anëtarëve të të dy partive të mëdha, madje theksoi se ai vetë ishte shprehur kundër këtij vendimi. “Për truallin në fjalë ka vendosur me vota të të dy partive të mëdha Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga mendimi im i kundërt shprehur edhe në debatin gjatë mbledhjes. Kujtoj se në atë kohë unë nuk kam qenë kryetar i Partisë Socialiste. Pra në atë kohë çmimi i shitjes së truallit në fjalë, i quajtur sot cmim abuziv nga Berisha është miratuar në fakt nga Këshilli Bashkiak me votat vendimtare të përfaqësuesve të Berishës dhe në kundërshtim të hapur me propozimin tim për një vlerësim të posacëm të atij trualli” u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›