Nis eksporti i energjisë drejt Kosovës dhe Greqisë, 2.2 milionë kw/h në ditë
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur që prej orës 24:00 të ditës së djeshme eksportin e energjisë elektrike me Greqinë dhe Kosovën, ndërkohë që vendi ynë do të furnizohet me energji gjatë muajit prill vetëm nga prodhimi vendas. Drejtori i Divizionit të Prodhimit pranë KESH-it, Muharrem Stojku, tha dje se "eksporti i energjisë do të zgjasë nga data 1-30 prill dhe sasia e energjisë që do të eksportohet është 2.2 milionë kilovatë/orë në ditë, kryesisht gjatë orëve të paradites". Sipas tij, eksporti i energjisë në këto dy shtete është bërë në bazë të kontratave të shitjes mes KESH-it dhe kompanisë shtetërore të Greqisë dhe KEK-ut në Kosovë. "KESH-i do të kryejë gjithashtu, gjatë muajit prill, edhe shkëmbime të energjisë elektrike me Kosovën, konsumi i së cilës kap shifrën 17.5-18 milionë kilovatë/orë në ditë",- shtoi Stojku. Ai shtoi se eksporti i energjisë u bë i mundur falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend, për shkak të reshjeve të bollshme dhe shkrirjes së dëborës. KESH-i ka eksportuar gjatë këtij viti energji elektrike në Greqi rreth 40 ditë, duke filluar nga data 22 janar. Ndërsa vitin e kaluar nuk është kryer asnjë eksport i energjisë elektrike.
Niveli i liqenit të Hidrocentralit të Fierzës ditët e fundit ka arritur në 293.7 metra, ndërsa prurjet llogariten 700 m3/sek. Prurjet e ujërave janë rritur gjithashtu edhe në liqenin e HEC-it të Komanit, duke arritur 170 m3/sek, ndërsa niveli i liqenit është 172.7 metra, kurse në Vaun e Dejës prurjet janë 70 m3/sek dhe niveli i ujit ka arritur në lartësinë 74.3 metra. Ndërsa konsumi ditor i energjisë elektrike nga konsumatorët në të gjithë vendin ditët e fundit ka arritur në 17.9 milionë kilovatë-orë në ditë.
2 Prill 2009