Tërheqja e depozitës para kohe, bankat u mbajnë klientëve deri në 20 për qind
Sipas BSH-së, fitimi bankar në vitin 2008 ishte 70 milionë dollarë. Bankat private rrisin çmimet e shërbimeve dhe të komisioneve
Ervin KOÇI
Fundi i vitit 2008 dhe fillimi i vitit 2009 ka nisur me një strategji agresive nga ana e bankave private në vend, aktivitet të cilin ato e justifikojnë me shtrëngimin e masave të sigurisë përballë krizës financiare. Këtë gjë e konfirmon edhe Banka e Shqipërisë në raportin e saj më të fundit për tregun bankar në vend, i cili u referohej kryesisht bilanceve të bankave gjatë vitit të kaluar. Sipas raportit, bankat private në vend gjatë vitit 2008 jo vetëm që nuk i ndjenë pasojat e krizës financiare globale, por ato patën fitime mjaft të mira në një kohë që shtrenjtuan ndjeshëm edhe shërbimet dhe komisionet bankare. Në këtë mënyrë, bankat private kanë rritur ndjeshëm tarifat e komisioneve, çmimet për çdo lloj vërtetimi apo dokumenti që klienti kërkon prej tyre, si dhe penalitetet për prishjet e njëanshme të kontratave të depozitave. Vetëm për këtë të fundit, në rast se një klient i bankës kërkon të tërheqë qoftë edhe një ditë para afatit paratë e depozitës së tij, duke e prishur kontratën për arsye të ndryshme, banka i mban atij deri në 20 për qind të shumës së depozitës si komision penalizues, në një kohë që klienti nuk përfiton përqindjet e fitimit. Kjo gjë ka ardhur edhe pasi bankat përfitojnë nga mungesa e sanksioneve të duhura nga ana e BSH-së, e cila, me gjithë masat e deklaruara, akoma nuk ka ushtruar presionin që parashikon ligji. Por sipas BSH-së, pë sa i takon rezultatit financiar të sektorit bankar, ai pritet të jetë më i dobët gjatë këtij viti. Kjo, si rezultat i rënies së të ardhurave për shkak të rënies së kreditimit dhe ndryshimit të strukturës së interesave, rritjes së kostos së përgjithshme të veprimtarisë, si dhe rritjes së fondeve rezervë për kredinë.
Fitimet e bankave
Fitimi në sektorin bankar në fund të vitit 2008 ishte pozitiv me rreth 7.3 miliardë lekë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. “Fitimi në sektorin bankar vitin që shkoi ka rezultuar me mbi 70 milionë dollarë. Por rritja vjetore e depozitave të sektorit bankar për të gjithë vitin ishte 2 për qind, krahasuar me rreth 20 për qind që ishte në vitin 2007”, - thuhej në raportin e BSH-së. Aktiviteti në sektorin bankar vitin që shkoi arriti në 834.1 miliardë lekë, duke zënë rreth 86 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe duke qenë 12.3 për qind më të larta në krahasim me fundin e vitit 2007. Gjatë vitit që shkoi, ritmi i rritjes vjetore të kredisë ishte rreth 35 për qind, kundrejt rreth 48 për qind në vitin 2007. Edhe ngadalësimi i ritmit të rritjes së kredisë u përqendrua në fund të vitit. Në përfundim, në fund të dhjetorit 2008, kredia zinte rreth 43 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar, duke u ngjitur në rreth 37 për qind të PBB-së. Në fund të vitit 2008, kapitali aksioner i sektorit bankar zinte rreth 8.6 për qind të totalit të aktiveve, krahasuar me rreth 7.6 për qind në fund të vitit 2007. Cilësia e portofolit të kredisë, e treguar prej raportit "vlera e kredive me probleme ndaj vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë" shënoi rënie gjatë vitit 2008, duke arritur në nivelin 6.6 për qind në fund të vitit. Rritja e këtij raporti ka qenë e përqendruar kryesisht në 3-mujorin e fundit dhe krahas efektit statistikor që vjen si rezultat i rënies së ritmit të kredisë në këtë periudhë.
Depozitat
Në vitin 2008, rritja vjetore e depozitave të sektorit bankar për të gjithë vitin ishte 2 për qind, krahasuar me rreth 20 për qind që ishte në vitin 2007. Ecuria e depozitave ndikoi edhe veprimtarinë e ndërmjetësimit të sektorit bankar, duke u shoqëruar me ngadalësim të ritmit të rritjes së kredisë. Në muajt e parë të vitit 2009, ritmi i rritjes së depozitave është më i ulët se ai i shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rreziqet e bankave
Sipas BSH-së, spektri i rreziqeve për sektorin bankar është zgjeruar, por ai do të jetë i qëndrueshëm në vitin 2009. “Në kushtet e ruajtjes së niveleve të kënaqshme të kapitalizimit të veprimtarisë dhe veprimeve për të ruajtur treguesit e likuiditetit, kriza nuk pritet të ketë efekte të drejtpërdrejta”, - thuhej në analizën e BSH-së. Në 3-mujorin e fundit të vitit 2008, spektri i rreziqeve për sektorin bankar është bërë më i larmishëm. Pavarësisht angazhimit të grupeve bankare zotëruese për të mbështetur veprimtarinë kredituese të filialeve të tyre në vendin tonë, mundësia e sektorit bankar për të kredituar në mënyrë të qëndrueshme do të kushtëzohet nga qëndrueshmëria e rritjes së depozitave. Treguesit e dy muajve të parë të vitit 2009 konfirmojnë pritshmërinë për një rënie të ritmit të rritjes së kredisë gjatë vitit 2009. Kjo situatë, sipas BSH-së, do t'i bëjë bankat më të kujdesshme në përzgjedhjen e projekteve që do të financojnë, si dhe ka mundësi të orientojë veprimtarinë e kreditimit në afate më të shkurtra dhe drejt monedhës vendase, për të cilën ato kanë mundësi të sigurojnë burime më të qëndrueshme financimi.
2 Prill 2009