Taksat e biznesit të vogël përplasin sërish qeverinë me Bashkinë
Kryeministri Berisha, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ka vijuar debatin për taksat me Bashkinë e kryeqytetit. Duke shprehur kundërshtitë për atë që e quajti goditje ndaj biznesit të vogël, kryeministri deklaroi se qeveria nuk do ta lejojë prekjen e barrës fiskale për to. “Ne nuk po bëjmë asnjë arbitraritet, por po u vendosim atyre atë kufi që i kemi vendosur vetes sonë. Nuk mund të tolerojmë asnjë lloj barre fiskale”, - u shpreh Berisha. Sipas tij, “rreth 70 për qind të forcës së punës në vend është e punësuar në biznesin e vogël, prandaj përkujdesja e parë e qeverisë qendrore dhe asaj vendore do të jetë ky sektor në mënyrë që mbarëvajtja e tij të mos cenohet”. Kryeministri u shpreh ashpër kundër projektit për vënien e një takse për automjetet që hyjnë në Tiranë nga zona të tjera të vendit, duke e cilësuar këtë si një projekt të kohës së feudalizmit. “Nuk mund të ndodhë kjo dhe nuk do të lejohet asnjë lloj barriere. Është një ide më feudale se feudalizmi”,- u shpreh Berisha. Duke e vënë theksin tek rritja e granteve për pushtetin vendor, kryeministri premtoi se në mandatin e dytë qeveria do ta rrisë sërish atë, për t’i dhënë mundësinë bashkive dhe komunave të investojnë edhe më shumë në zonat e tyre.
2 Prill 2009