E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis mes polemikash Festivali i Filmit në Kanë

Autori i Lajmit: Redaksia

Kanë – Është çelur mes debatit edicioni i 63-të i Festivalit i Filmit në Kanë. A do të jetë në qendër të ciklonit producenti rus Nikita Mikhalkov, i cili është kritikuar nga kolegët e tij se është treguar shumë “dashamirës” me kryeministrin Vladimir Putin? Apo do të kritikohet regjisori franko-algjerian me filmin “Outside of the Law”. Ai është akuzuar nga kritika se ka “falsifikuar” historinë e rezistencës franko-algjeriane. Jo pak debat pritet të shkaktojë dhe shfaqja e mundshme e modeles dhe aktores Lindsay Lohan në rolin e yllit të pornos së viteve 1970, Linda Lovelace. Një gjë është e sigurt, festivali i këtij viti do të ketë shumë sfida. Deri më 23 maj festivali pritet të ketë një kalendar shumë të ngjeshur me shfaqje dhune politike (kapitalizmi, socializmi, terrorizmi, kolonializmi, luftërat, diktaturat, revoltat). Pjesë e debatit është bërë dhe Italia ku ministri italian i Kulturës, Sandro Bondi, ka “refuzuar” të marrë pjesë në festivalin e ardhshëm të Kanës, për shkak të pjesëmarrjes së një filmi propagandistik, “Draquila”, që ofendon publikisht të vërtetën dhe gjithë popullin italian. Filmi i Sabina Guzzanti është një hetim në terren për të kapur zëra “jashtë korit” të personave të prekur nga tërmeti i Abrucos.
Rasell Krou, Kejt Blanshet dhe filmi “Robin Hood”, i regjisorit Ridlei Skot, janë ata që çelën edicionin e festivalit. “Jemi shumë të kënaqur që po hapim festivalin, sepse është një eveniment i përmasave të mëdha”,- thotë regjisori Skot.
Bashkë me "Robin Hood", në të cilin paraqitet Krou, në Kanë do të takohen edhe fytyra të tjera të mëdha të kinematografisë, si Majkëll Dagllas dhe Oliver Ston në filmin "Ëall Street: Money Never Sleeps". Për 12 ditë të festivalit, do të prezantohen edhe regjisorët Sharl Ferguson me filmin "Inside Job", një dokumentar ku rrëfen Matt Damon. Emrat më të mëdhenj që do të prezantohen në Kanë këtë edicion janë Ston, Allen dhe Skot, filmat e të cilëve do të shfaqen jashtë garës konkurruese. “Vitin e shkuar, një numër i madh i regjisorëve të njohur ishin në Kanë. Këtë vit shumica prej tyre janë duke shkruar skenarë apo duke punuar në çfarëdo mënyre tjetër me filmin”, - u shpreh drejtori i festivalit, Thieri Fremaux. “Procesi i përzgjedhjes, ishte një çështje e ndërlikuar. Megjithatë, në fund mund të thuhet se është bërë një selektim i përkryer ku është përdorur imagjinata”. Tetëmbëdhjetë filma janë përzgjedhur për të konkurruar për “Palmën e Artë”, (Palme dOr), çmimin kryesor të festivalit. Asnjëri prej filmave kandidatë nuk ka regjinë e një regjisoreje. Historikisht, Kana ka qenë më e hapur për regjisoret femra në krahasim me Akademinë që ndan çmimet “Oscar”. Vitin e shkuar juria drejtohej nga aktorja Isabelle Huppert.
"Fair Game" është filmi i vetëm nga një regjisor amerikan që do të konkurrojë krahas 19 filmave të tjerë për “Palme dOr”. Drejtori i festivalit ka shpalosur haptazi dëshirën e tij për pjesëmarrjen e më shumë filmave amerikanë. “Festivali i Filmit në Kanë do të duhet të shfaqë më shumë filma amerikanë. Kjo është pjesë e traditës sonë dhe çka dëshirojmë në të ardhmen”, - tha Thierri Fremaux.
Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›