E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë diskutuan Malile-Andreoti në Nju-Jork

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Romë, 14 tetor 1988 - Krahas zhvillimeve paralele të zgjerimit të marrëdhënieve me vendet Perëndimore, së fundmi Tirana është përpjekur të ndjekë dhe një politikë më pragmatiste në drejtim të disa vendeve komuniste. Shqipëria ka pasur kontakte minimale me këto vende dy dekadat e fundit për shkak të dallimeve ideologjike. Edhe pse këto mosmarrëveshje vazhdojnë të qëndrojnë, duket se udhëheqja e PPSH-së ka vendosur ta braktisë politikën e saj të propagandës së padobishme. Kështu, Shqipëria është në mes të një procesi normalizimi dhe zgjerimi të bashkëpunimit me Bullgarinë, Çekosllovakinë, Hungarinë dhe Kinën, dikur ish- aleaten e saj më të afërt në botën komuniste. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka ndryshuar krejtësisht sjelljen e saj negative ndaj Bashkimit Sovjetik. Por më të rëndësishme nga të gjitha janë kontaktet e shpeshtuara me Italinë. Gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Reiz Malile, në Nju-Jork, në mbledhjen e 43 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai pati takime me 18 homologë. Takimi i tij me ministrin e Jashtëm italian, Xhulio Andreoti, kishte një interes të veçantë në zgjidhjen e çështjes së vjetër të azilit që përfshin ambasadën italiane në Tiranë. Katër vjet më parë, më 19 dhjetor 1984, një i ftuar i pazakontë zbarkoi në aeroportin e Fiumiçinos. Ai ishte zëvendësministri i Jashtëm shqiptar, Sokrat Plaka, i cili nisi një vizitë zyrtare për të shënuar një etapë të re në marrëdhëniet e Tiranës me Romën. Plaka ishte funksionari më i lartë shqiptar që vizitoi zyrtarisht Italinë dhe, ndoshta, të parin vend perëndimor evropian. Malile pas takimit të parë me Andreotin në Nju-Jork dërgoi një delegacion teknik në Romë, por që nuk bëhej fjalë për një vizitë të mirëfilltë zyrtare. Kështu i dërguari Plaka, pati një sërë takimesh me Andreotin, kryetarët e komisioneve të Jashtme të dy dhomave të Parlamentit, La Malfën dhe Tavianin dhe me drejtues të tjerë të lartë mes të cilëve dhe eksponentë të Universitetit të Romës. Po atë vit, niveli i kontakteve u zhvillua dhe me dy takime të tjera në nivel qeveritar me vizitën e ministrit të Tregtisë, Nikola Kaprias, në Tiranë dhe ministrit shqiptar të Shëndetësisë, Alushani, i cili i dorëzoi kryeministrit Benito Kraksi një mesazh nga kryeministri Adil Çarçani. Shqipëria po përshpejton me shumë kujdes dhe kontaktet me Greqinë, por në Itali ajo gjen një vend partner perëndimor më të besueshëm përveç vlerësimit të marrëdhënieve tregtare. Gjatë qëndrimi të tij në Nju-Jork, Malile u takua dhe me ministrin e Jashtëm hungarez, që u zhvillua vetëm disa ditë pas deklaratës së Hungarisë se Budapesti ishte gati të niste bisedimet bilaterale për riakreditimin e ambasadorëve respektivë. Me një lëvizje të pazakontë, gazetat shqiptare botuan pa humbur kohë komunikatën e Budapestit në faqet e tyre të para. Ish-udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha deri në momentet e fundit para vdekjes deklaronte se vendet evropianolindore të orientuara nga Moska “merrnin urdhra verbërisht” nga Bashkimi Sovjetik dhe se po ndiqnin një politikë armiqësore ndaj Shqipërisë. Ai tha gjithashtu se nuk do të kishte ndryshim të marrëdhënieve me Shqipërinë “për sa kohë ato të mos ndryshonin qëndrim”. Sot, kjo ka ndryshuar. Varësia që kanë treguar këto vende ndaj Moskës është dobësuar në maksimum pas “ndjekjes së rrugëve të ndryshme të socializmit”. Sigurisht, ka pasur dhe një ndryshim në rritjen e vetëbesimit të Tiranës për të negociuar në rolin e së barabartës me vendet e bllokut socialist. Marrëdhëniet diplomatike me vendet e bllokut sovjetik (me përjashtim të Rumanisë) janë ruajtur. Nivelet diplomatike deri tani të përfaqësuara nga të ngarkuar të posaçëm, po ngrihen në rang ambasadorësh si rezultat i politikës së jashtme shqiptare më fleksibël. Afrimi me Bullgarinë, dikur një nga aleatet më besnike të Moskës në bllokun sovjetik është rasti më befasues. Në gusht 1988, këto dy vende vendosën që ti ngrinin marrëdhëniet e tyre diplomatike në nivel ambasadorësh (që prej vitit 1960, pas prishjes së Tiranës me Moskën, si ura lidhëse kishin shërbyer të ngarkuarit e posaçëm). Ky nuk ishte një vendim i lehtë, duke qenë se u deshën plot tre vjet nga ana e Tiranës për të reaguar ndaj apelit të Sofjes për normalizim marrëdhëniesh (nëntor 1985, pak muaj pas vdekjes së Hoxhës). Bullgaria kishte qenë një nga vendet e para që kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore (nëntor 1945). Duke pranuar kredencialet e ambasadorit të ri shqiptar në Sofje, kreu i shtetit bullgar, Todor Zhivkov, tërhoqi vëmendjen e “disponueshmërisë së mundësive të pashfrytëzuara për promovimin e lidhjeve reciproke”. Në fund të shtatorit 1988, Kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Niko Gjyzari, shkoi në Bullgari për hapjen e panairit ndërkombëtar të Plovdivit, duke shënuar vizitën e parë zyrtare të një qeveritari të lartë shqiptar në një vend të bllokut sovjetik që pas vitit 1961.
Gjyzari u takua me kryeministrin Jorgji Atanasov dhe Zhivkovin. Media Çekosllovake raportoi se ministri i Jashtëm çek ishte takuar me homologun e tij shqiptar për herë të parë që prej vitit 1961. Sipas agjencisë së lajmeve “CTK”, një nga pikat kryesore të diskutimit ishte normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat u propozuan fillimisht nga Praga në janar 1988. Malile u citua ti thoshte homologut të tij çek se propozimi i “normalizimit të shpejtë dhe të plotë të marrëdhënieve” ishte vlerësuar me pozitivitet dhe se shqiptarët e vlerësonin shumë Çekosllovakinë. Nuk ka asnjë informacion për marrëdhëniet shtetërore të Polonisë me Shqipërinë, por takimi i ministrave të Jashtëm në Nju-Jork, mendohet të ketë qenë frytdhënës. Bisedimet e Maliles me ministrin e Jashtëm kinez, Çian Çichen ishin dhe më interesantet, plot 10 vjet pas ndërprerjes së aleancës së fortë mes dy vendeve. Lidhjet diplomatike megjithatë janë ruajtur në nivel ambasadorësh, ndërsa kinezët nuk e ndërprenë punën e ndërtimit të një ambasade të re në Tiranë, e cila thuhet se është më e madhja në kryeqytetin shqiptar. Agjencia shtetërore kineze e lajmeve “Hsinhua”, tha për takimin e ministrave se ata kishin rënë dakord që të evitonin mosmarrëveshjet ideologjike për të mos penguar përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale. Çian Çichen u citua të thoshte se të dyja vendet duhet tu bindeshin pesë parimeve të bashkekzistencës paqësore dhe të mos ndërhynin në çështjet e brendshme të njëra-tjetrës. Ai tha se për çështjet ndërkombëtare “është e panevojshme tu imponoheshe pikëpamjeve të njëra-tjetrës për të arritur të ashtuquajturën identitet i pikëpamjeve”. Bashkëpunimi ekonomik, në shkencë dhe teknologji ishin gjithashtu pika të diskutimit. “Hsinhua” tha se Malile ishte “dakord” me pikëpamjet e Çianit.

Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›